Në vijimësi të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi dhe Delphi Economic Forum, Presidenti i DEF, z. Simeon Tsomokos, i shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, zhvilloi një vizitë pune në Tiranë në funksion të përgatitjeve për edicionin e 5-të të Tirana Economic Forum, një aktivitet satelit i DEF.
Gjatë vizitës, Presidenti i Forumit Ekonomik të Delfit, z. Tsomokos, një mik i mirë i Shqipërisë, u mirëprit nga zyrtarë të lartë shqiptarë, në Kryeministri, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe në Ambasadën e Greqisë në Tiranë.
Takimet u fokusuan në mundësitë e bashkëpunimit institucional dhe në nxitjen e dialogut midis sektorit publik dhe privat në funksion të zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian të Shqipërisë.
Në kuadër të vizitës, u zhvilluan gjithashtu takime me përfaqësues të bizneseve greke dhe shqiptare, duke nënvizuar rolin e Tirana Economic Forum si një platformë e rëndësishme bashkëpunimi ekonomik, inovacioni dhe shkëmbimi rajonal.
Edicioni i këtij viti titulluar “Duke përqafuar të ardhmen: Rritja e qëndrueshme e Shqipërisë si një qendër rajonale ekonomike”, synon të nxjerrë në pah rolin strategjik të Shqipërisë në rajonin e Evropës Juglindore dhe mënyrën se si Shqipëria mund të kontribuojë në krijimin e lidhjeve më të ngushta bashkëpunimi me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë do të vijojë të mbështesë këtë nismë si një instrument konkret për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe institucionale mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe për promovimin e Shqipërisë si një partnere aktive dhe konstruktive në rajon.
Në këtë kontekst, Ambasada i shpreh mirënjohjen e veçantë Presidentit të Delphi Economic Forum, z. Simeon Tsomokos, për frymën e lartë të bashkëpunimit dhe këmbënguljen për realizimin e nismave progresive, të cilat sjellin më afër vendet tona dhe kontribuojnë në krijimin e mirëqënies së përbashkët.
Ftojmë sipërmarrësit shqiptarë dhe grekë, si dhe përfaqësues të sektorit privat e publik, të marrin pjesë në edicionin e radhës të Tirana Economic Forum, si një mundësi e vlefshme për shkëmbim idesh, ndërtim partneritetesh dhe identifikim të mundësive të reja investimi në Shqipëri dhe rajon.




