Në Ambasadën Shqiptare në Athinë, u organizua ceremonia me rastin e përfundimit të misionit të Atasheut Ushtarak Kolonel Roland Berzani dhe marrjes së detyrës të Atasheut të ri, Kolonel Artan Bufi.
Në ceremoni morën pjesë gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Greke, si dhe te akademive ushtarake ku studiojnë kadetët shqiptarë, përfaqësues të shtypit ushtarak grek, profesorë, atashe ushtarakë të huaj të akredituar në Athinë, etj.
Në fjalën e rastit, Ambasadorja Luela Hajdaraga theksoi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke në fushën e mbrojtjes, të cilat kulmuan me vizitën e Ministrit, z. Niko Peleshi në Athinë, kontributin reciprok në fushën e emergjencave civile, atë të arsimimit, por edhe bashkëpunimin e shkëlqyer në kuader të NATO-s. Pasi përgëzoi Kolonel Berzanin për punën e mirë gjatë këtyre viteve, Ambasadorja i uroi mirëseardhjen Kolonel Bufit, duke shprehur optimizmin për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Greqinë në fushën e mbrojtjes.
Në fjalën e tij, Kolonel Berzani e cilësoi programin bilateral vjetor të bashkepunimit me Greqinë mjaft serioz, ku përfshihen rreth 40 aktivitete të përbashkëta, në të dy vendet. Ai përgëzoi palën greke për pranimin në akademitë greke të studentëve shqiptarë, ku aktualisht studiojnë 16 ushtarakë, përmëndi ndihmën e palës greke gjatë tërmetit të nëntorit 2019, por edhe kontributin e forcave shqiptare gjatë zjarrit të vitit të kaluar në Thrak të Greqisë.
Atasheu Ushtarak spanjoll, në cilësinë e dekanit të atasheve, vlerësoi lart kontributin e Kolonel Berzanit dhe i uroi suksese atasheut te ri.
Në kuadër të prezantimit, të dy atashetë ushtarakë kanë vizituar këto ditë Akademinë e Forcave Tokësore, atë të Detarisë, Shkollën e Oficerëve të Infermierisë dhe gjatë ditës së nesërme, si dhe takime me udhëheqjen e lartë të Forcave të Armatosura të Greqisë.