Në përmbyllje të festimeve të Nëntorit Shqiptar 2024, Ambasada e RSH-së në Greqi organizoi një koncert festiv me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë dhe 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
Të ftuarit e pranishëm, zyrtarë të lartë grekë, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Greqi, personalitete të shquara të fushës së politikës, biznesit, shkencës, artit, kulturës dhe sportit të të dy vendeve dhe miq të Shqipërisë, shijuan një mbrëmje të paharrueshme të artit elitar shqiptar, nën interpretimin e tenorit me famë botërore Rame Lahaj, pianistes së talentuar Elda Laro dhe Ansamblit virtuoz të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë.
Në fjalën e përshëndetjes, Ambasadorja Luela Hajdaraga theksoi se këto ngjarje të shenjta të historisë sonë shërbejnë jo vetëm për të na kujtuar rëndësinë e lirisë dhe unitetit, por edhe detyrën tonë për t’i ruajtur ato, në nderim të grave dhe burrave që luftuan, ndërtuan dhe u vetëmohuan për një Shqipëri të lirë dhe evropiane.
Një falënderim i veçantë për këtë mbrëmje magjike shkon për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Fondacionin Stavros Niarchos dhe për gjithë ata që mbështetën këtë event.
Nëna Shqipëri, ne bijat dhe bijtë e tu ëndërrojmë ditën kur do të të shohim zonjë të madhe, në mes të familjes evropiane. Aty ku, pavarësisht sprovave të historisë, natyralisht dhe qëndrueshmërisht i përkasim. Për këtë përpiqemi çdo ditë, për këtë angazhohemi.
Gëzuar për shumë e shumë mote datat e bekuara të kalendarit tonë kombëtar!
Gëzuar motra dhe vëllezër shqiptarë anembanë botës!
Photo credits: Genti Malo & Pelagia Karanikola