Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi me kënaqësi njofton inaugurimin e ekspozitës “Një borsë plot me telekarta”, një projekt i Arkivit të Imigracionit Shqiptar në Greqi, pjesë e Arkivit Grek të Historisë Sociale Bashkëkohore (ASKI). Ekspozita zhvillohet me mbështetjen e Iniciativës për Shkencat Publike Humane të Fondacionit Stavros Niarchos (SNFPHI), me kuratore znj. Ilirida Musaraj, njëkohësisht koordinatore e Arkivit të Imigracionit Shqiptar, dhe znj. Pati Vardhami, kuratore dhe teoriciene kritike.
Kjo ekspozitë, e cila zhvillohet në hapësirën e artit “Tavros”, sjell në dritë historitë dhe përvojat e padukshme dhe të pathëna të imigracionit shqiptar në Greqi. Përmes një koleksioni të pasur dëshmish – dokumente, fotografi dhe materiale personale – nxirren në pah përjetimet e ndarjes me familjet, vështirësitë ekonomike dhe ëndrrat për një jetë më të mirë.
Ne emër të Ambasadës së RSH-së në Athinë mori pjesë znj. Joneda Dodaj, Diplomate e ngarkuar me Çështjet e Diasporës, e cila, pasi shprehu mbështetjen e Ambasadës, vuri në dukje rëndësinë e pasqyrimit dhe ruajtjes të historisë migruese të komunitetit shqiptar në Greqi, si pjesë e pandarë të historisë bashkëkohore të Shqipërisë dhe Greqisë.
Datat: 18-28 shtator 2024
Adresa: Hapësira artistike “Tavros” (Anaksagoras 33, Athinë)
Ju ftojmë të vizitoni dhe të bëheni pjesë e këtij rrëfimi të veçantë të migracionit Shqiptar!
Për më tepër infomacion, klikoni në linket e mëposhtme: