Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi çeli me sukses ekspozitën “Shqipëria ndër Vite”, një udhëtim emocionues në kujtesën, identitetin dhe trashëgiminë shqiptare, përmes koleksionit të veçantë historik të Profesor Doktor Panajotis Koliomihalis.


Aktiviteti u organizua me mbështetjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit “Cultur-Alb – Ditë Shqiptare në Botë”.



Ekspozita përbëhej nga kartolina, harta, gravura, libra të rrallë, piktura, fotografi dhe dokumente, fragmente të çmuara të shpirtit shqiptar të shpërndara në pesë kontinente. Çdo material, i rikthyer nga pluhuri i harresës, është shndërruar prej tij në një thesar të ruajtur me dashuri e respekt.


“Ky është një homazh për shpirtin human dhe dashurinë e tij të palëkundur ndaj Shqipërisë, si dhe për besimin se kultura jonë meriton të ruhet me krenari,” u shpreh Ambasadorja Luela Hajdaraga gjatë fjalës së saj përshëndetëse.

Në këtë mbrëmje të veçantë, Ambasadorja Luela Hajdaraga vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm humanitar të z. Koliomihalis, si dhe rolin e tij në promovimin e trashëgimisë shqiptare dhe në forcimin e miqësisë ndërmjet popullit shqiptar dhe atij grek. Ai shprehu dëshirën që koleksioni i tij i vyer të ruhet i plotë dhe të mbetet në duart e shtetit shqiptar ose të një patrioti shqiptar që do të vazhdojë këtë mision të çmuar.


Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, trupi diplomatik, figura nga arti, kultura dhe sipërmarrja, si dhe miq të shumtë të mjekut.







