Në kuadër të aktiviteteve të “Nëntorit Shqiptar” dhe për nder të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi organizoi një ceremoni festive dedikuar fëmijëve, e cila shënoi përmbylljen e konkursit të vizatimeve për fëmijë “Shqipëria në ëndrrat e mia”.
Ky aktivitet bëri bashkë fëmijë, prindër dhe mësues të gjuhës shqipe, të cilët krijuan një atmosferë frymëzuese dhe festive. Krijimet e fëmijëve ishin një pasqyrë e ëndrrave dhe dashurisë së tyre për Shqipërinë, ndërsa Ambasada jehoi nga emocionet e recitimeve dhe krenarinë e pjesëmarrësve.
Ambasadorja, znj. Luela Hajdaraga pasi përshëndeti pjesëmarrësit, përgëzoi fëmijët për krijimtarinë dhe angazhimin e tyre, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare si një urë e fuqishme që bashkon brezat dhe mbart një pasuri të vyer të identitetit tonë kombëtar. Ajo vuri në dukje se alfabeti shqip është gurthemeli i kulturës dhe historisë sonë, dhe fëmijët janë trashëgimtarët që do ta ruajnë dhe përcjellin këtë trashëgimi të çmuar drejt së ardhmes.
Aktiviteti përfshiu recitime poetike dedikuar gjuhës amtare dhe atdheut, ndarjen e çmimeve për fituesit dhe vlerësime për të gjithë pjesëmarrësit, si dhe dhurata të veçanta për të gjithë fëmijët, duke e bërë ditën edhe më të gëzueshme.
Aktivitete të tilla jo vetëm që nxisin talentin dhe krijimtarinë e fëmijëve, por edhe forcojnë ndjenjën e përkatësisë dhe lidhjet me rrënjët e tyre, duke i mbajtur të gjalla vlerat e trashëgisë dhe identitetit tonë kombëtar.
Mirë u takofshim në edicionin e ardhshëm!