Sot në Tiranë u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës (CCIT) dhe Dhomës Tregtare të Profesionistëve të Athinës (ACT). MoU u firmos nga Nënkryetari i CCIT, z. Loretan Prespa, dhe Kryetari i ACT, z. Ioannis Hatzitheodosiou, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Delegacioni i ACT-së ndodhet në Tiranë në kuadër të Forumit Ekonomik të Tiranës, të organizuar nga Delphi Economic Forum në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Greqi. Në përbërje të delegacionit grek ishte edhe Kryetari i Komisionit Greko-Shqiptar të Profesionistëve pranë Dhomës, z. Kristaq Konduri, duke i dhënë takimit një dimension domethënës në funksion të zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh.

Memorandumi u nënshkrua pas takimit dypalësh mes delegacioneve, zhvilluar në ambientet e CCIT, ku u trajtuan mundësi konkrete për thellimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e partneriteteve të reja.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, si partner i qëndrueshëm dhe promotore aktive e nismave që fuqizojnë lidhjet ekonomike mes dy vendeve, u përfaqësua në këtë aktivitet nga Diplomatja për çështjet ekonomike dhe tregtare, znj. Joana Zhonga. Pjesëmarrja e Ambasadës thekson angazhimin e saj të pandërprerë për të mbështetur dhe lehtësuar bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve të biznesit shqiptar dhe grek.
Ky MoU synon të nxisë shkëmbimet tregtare, të mbështesë sipërmarrjet e vogla e të mesme dhe të krijojë mundësi të reja për partneritete biznesi.



