Më 21 shkurt 2025, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, në bashkëpunim me Shoqatën “Lidhja e Gruas Shqiptare në Greqi” (“Σύνδεσμος Αλβανίδων Γυναικών στην Ελλάδα”), me kryetare znj. Agapi Gjika, organizoi aktivitetin “Gjuha amtare, vazhdimësia e atdheut në diasporë”.
Në këtë event morën pjesë përfaqësues të shoqatave shqiptare, mësues, prindër dhe nxënës, të cilët ndanë mendimet mbi rëndësinë e gjuhës amtare si lidhje mes brezave dhe identitetit kombëtar. Z. Ermal Sulaj, përfaqësues i Greqisë në Këshillin Koordinues të Diasporës, dhe Kryetarja e Komunitetit Shqiptar në Greqi, znj. Rovena Xhori, theksuan rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe.
Ambasadorja, znj. Luela Hajdaraga, theksoi se mbrojtja e gjuhës shqipe në diasporë është një detyrim kulturor, duke falënderuar mësuesit për kontributin e tyre.
Aktiviteti u mbyll me një performancë artistike nga këngëtarja Erefili Çala Shyti, nxënësit e kurseve të gjuhës shqipe me mësuese znj. Lefteri Metkaj, dhe një koreografi e valltarëve me koreografe znj. Lura Llabani.
Fotografi: Fred Prendushi Pali