Në ambientet e Ambasadës në Athinë u zhvillua mbrëmja letrare “Ismail Kadare – 90 Vjet Fjalë, Kujtesë dhe Identitet”, një homazh me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë, shkrimtarit që i dha gjuhës shqipe përmasë universale dhe e vendosi letërsinë shqiptare në një dialog të denjë me kulturën evropiane dhe botërore.
Duke e vlerësuar Kadarenë si një farkëtar të ndërgjegjes kombëtare, Ambasadorja Hajdaraga theksoi se ai mbetet një ndërgjegje evropiane e formuar në tokën shqiptare – një zë që i dha identitetit tonë kulturor përfaqësim dinjitoz në hapësirën ndërkombëtare.
Prof. Dr. Valbona Duri, dekane e FESHSH-së në Universitetin “Eqrem Çabej”, solli një analizë akademike të veprës së Kadaresë si hapësirë e kujtesës historike dhe e formësimit identitar. Ndërsa gazetari dhe analisti Mentor Kikija, i ardhur nga Tirana, theksoi se promovimi i krijimtarisë së tij përbën një detyrë kombëtare, duke e parë veprën e Kadaresë si pasuri të përbashkët shpirtërore dhe kulturore.
Në këtë aktivitet referoi edhe shkrimtari gjirokastrit Thanas Medi, fitues i Çmimit Kombëtar “Libri më i mirë i vitit” në vitin 2013, një gëzim që atëherë e ndau me më të madhin Kadare, duke simbolizuar dialogun mes brezave të letërsisë shqipe. Folës ishte gjithashtu Vasil Dilo, themelues i Shoqatës “Kadare-Kazantzakis”, e krijuar si një urë kulturore mes dy popujve. Dilo, duke ndarë kujtime personale me shkrimtarin, theksoi se kjo shoqatë mbetet simbol i fjalës që tejkalon kufijtë dhe historinë, duke bashkuar kultura përmes letërsisë.
Dimensioni artistik i mbrëmjes u përcoll përmes interpretimeve të aktorëve Veti Rredhi dhe Karafil Shena, të cilët sollën emocion të veçantë për audiencën, ndërsa aktori gjirokastrit Nikolla Llambro foli për lidhjen e tij personale dhe artistike me krijimtarinë e Kadaresë.
Prania e znj. Anisa Ymeri, Drejtoreshë e Shtëpisë-Muze Kadare (Shtëpia Studio Kadare), e cila solli artefakte origjinale nga Tirana, e bëri edhe më të prekshme lidhjen mes autorit, kujtesës dhe trashëgimisë sonë kulturore. Aktiviteti u moderua nga Ministri Këshilltar i Ambasadës, znj. Eliverta Radomi, duke ndërthurur dimensionin diplomatik, akademik dhe gazetaresk të reflektimit mbi figurën dhe veprën e Kadaresë.
Kjo mbrëmje përbënte jo vetëm një përkujtim simbolik, por edhe një akt vlerësimi institucional dhe kulturor për një figurë që mbetet pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive dhe një zë i qëndrueshëm i identitetit shqiptar në botë.



