Në kuadër të “Nëntorit Shqiptar 2024”, në një atmosferë emocionuese dhe të veçantë miqësie dhe bashkëpunimi, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, së bashku me Zyrën e Interesave të Kosovës – Kosovo in Greece, Bashkinë Kamena Vurla – Δήμος Καμένων Βούρλων, Klubin Shqiptar të Futbollit APOLONIA FC ATHINA dhe Klubin Grek të Futbollit ‘‘AO Kamena Vourla’’, zhvilluan me sukses edicionin e tretë të kampionatit “Kupa e Pavarësisë” në stadiumin bashkiak të Kamena Vurla.
Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga përshëndeti mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë Kamena Vurla, z. Ilias Kirmanidhis, duke e cilësuar këtë aktivitet si një traditë të çmuar që forcon miqësinë mes popullit shqiptar dhe grek. Kryetari Kirmanidhis vlerësoi bashkëpunimin dhe rëndësinë e eventit për lidhjet kulturore midis dy vendeve. .
Eventi bëri bashkë profesionistë dhe amatorë të futbollit nga të dy komunitetet, duke ofruar momente të paharrueshme për sportistët e vegjël dhe të rritur. Ekipi Apolonia F.C Athina triumfoi në “Kupa Pavarësia 2024,” ndërsa ekipi vendas Kamena Vurla fitoi në kategorinë e moshave të vogla. U ndanë 4 kupa dhe 100 medalje për ekipet dhe lojtarët më të mirë, si dhe fanella të dhuruara nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Para këtij eventi, Ambasadorja Hajdaraga u prit në një takim nga Kryetari i Bashkisë Kamena Vurla, ku u diskutua mbi çështje që lidhen me integrimin e komunitetit shqiptar në jetën sociale, kulturore dhe ekonomike të rajonit Fthiotidha.
Mirënjohje për të gjithë kontribuesit dhe mbështetësit, përfshirë Bashkinë Kamena Vurla, kompanitë shqiptare-furrat e bukës ‘‘Ipiros’’ Athinë, “Imioro” dhe “Floga Kafe” në Kamena Vurla, trajnerin e Apolonia FC Athina, z. Benard Veliu, Nën Presidentin e Klubit AO Kamena Vurla, z. Ardian Toska, shkrimtaren znj. Elona Gjergo, e cila moderoi aktivitetin, dhe këngëtaren znj. Teuta Pango për angazhimin e tyre në këtë festë të veçantë sportive.