Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, pati kënaqësinë të mirëpriste në Ambasadë z. Benard Veliu, trajner i Klubit Shqiptar të Futbollit APOLONIA FC ATHINA, dhe z. Andonis Tsatsos, President i Klubit Apollonia dhe sipërmarrës i suksesshëm shqiptar në Greqi.
Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëorganizimin e kampionatit të futbollit “Kupa e Pavarësisë”, një bashkëpunim midis Ambasadës së RSH-së në Athinë, Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë dhe Klubit Shqiptar të Futbollit Apolonia FC Athinë – një traditë e vyer vjetore në Greqi – që bashkon komunitetin shqiptar dhe grek përmes sportit.
Ky event i veçantë do të zhvillohet në kuadër të “Nëntorit Shqiptar” dhe Festave Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, duke sjellë së bashku sportistë profesionistë, amatorë, fëmijë dhe të rinj nga të dy komunitetet. Kupa e Pavarësisë përfaqëson më shumë se një kampionat futbolli; ajo ofron një mundësi për të forcuar urat e miqësisë mes popujve tanë përmes sportit.