Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, mori pjesë në premierën e shfaqjes “MAMI”, një vepër e fuqishme teatrore e shkruar dhe realizuar nga regjisori dhe aktori shqiptar Mario Banushi, e cila u shfaq në Fondacionin “Onassis”, në Athinë Ίδρυμα Ωνάση / Onassis Foundation.
“MAMI” sjell në skenë një rrëfim prekës mbi marrëdhënien mes nënës dhe djalit, duke eksploruar dashurinë, sakrificën dhe ndikimin e lidhjeve familjare në formësimin e identitetit. Me një interpretim të thellë dhe të veçantë, vepra ndërthur dramën me reflektimin, duke e bërë audiencën pjesë të një rrëfimi universal.
Ambasadorja, znj. Luela Hajdaraga, përgëzoi regjisorin Mario Banushi për krijimtarinë e tij dhe theksoi se kjo vepër është një dëshmi e fuqisë së artit për të ndërtuar ura mes kulturave dhe komuniteteve. Ajo vlerësoi kontributin e të rinjve shqiptarë në diasporë në skenën artistike ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një pasqyrim të talentit, shpirtit krijues dhe lidhjes së fortë me rrënjët kulturore.
Shfaqja “MAMI” do të vijojë të shfaqet në Fondacionin “Onassis” deri më 22 mars 2025.
Për më shumë informacion dhe bileta, lutemi klikoni në link-un: https://www.onassis.org/el/whats-on/mami-mario-banushi