Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga mori pjesë në ceremoninë e pritjes së organizuar nga Presidentja e Republikës Greke znj. Katerina Sakellaropoulou, me rastin e hapjes së “Samitit të Grave Lidere Politike – Athinë 2024”, një organizim i përbashkët i Ministrisë së Turizmit dhe Ministrisë së Kohezionit Social dhe Familjes të Republikës Greke.
Në këtë Samit merr pjesë edhe një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë i përfaqësuar nga zonjat deputete Klotilda Bushka Ferhati, Dhurata Çupi Tyli dhe Zheni Gjergji. Gjatë ceremonisë deputetet patën rastin të takohen dhe të bisedojnë me Ministren e Turizmit të Greqisë znj. Olga Kefalogianni, Ministren e Kulturës znj. Lina Mendoni, Zv. Ministren e Kohezionit Social dhe Familjes znj. Maria Kefala, etj.
Samiti që po zhvillohet në datat 19-21 mars 2024, ka bërë bashkë delegacione nga 57 vende të botës, për të diskutuar mbi përfaqësimin e barabartë të grave në demokracitë e shekullit të 21-të, si dhe sfidat me të cilat përballet qeverisja demokratike.