Me iniciativë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi, të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Selanik dhe të Drejtorisë të Departamentit të Gjuhëve të Ballkanit të Institutit të Studimeve të Gadishullit Ballkanik IMHA në Selanik, u organizua një takim virtual me temën “Gjuha Shqipe – Mësimdhënia dhe Certifikimi”. Në këtë takim morën pjesë Ambasadorja e RSH-së në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, Konsullja e Përgjithshme e RSH-së në Selanik, znj. Erida Dobrushi, si dhe Drejtoresha e Institutit IMHA, znj. Smaragda Arvanitidou. Të pranishëm ishin gjithashtu pedagogë dhe mësues të gjuhës shqipe që aktivizohen në kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi.
Gjatë takimit, pedagogët dhe anëtarët e komisionit të certifikimit të IMHA, z. Stavri Dajo dhe znj. Xhensila Kodra, prezantuan suazën e mësimit të gjuhës shqipe në këtë institut, rregullat e pjesëmarrjes në provimet e certifikimit dhe kriteret për marrjen e certifikatave të njohura sipas Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencave (CEFR). U ofruan gjithashtu shembuj të ushtrimeve nga provimet e certifikimit, si dhe materialet mësimore që mbështesin këtë proces.Ambasadorja Hajdaraga falënderoi mësuesit dhe pedagogët për përkushtimin e tyre, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Shqipërisë në Athinë, Konsullatës në Selanik dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për çdo përpjekje që synon forcimin e gjuhës shqipe në Greqi dhe certifikimin e saj zyrtar dhe për të siguruar që gjuha jonë të ketë një vend të qëndrueshëm dhe të respektuar brenda sistemit arsimor, jo vetëm në Greqi, por edhe në kontekst më të gjerë evropian.