Në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Athinë u zhvillua një event letrar me pjesëmarrjen e poetes, studiueses dhe përkthyeses Maklena Nika. Gjatë këtij eventi u promovuan veprat e saj poetike “Oksimoron” dhe “Nitroglicerinë”, krijime që eksplorojnë dualitetin, ndjeshmërinë dhe fuqinë e gjuhës për të shprehur trupin dhe shpirtin.
Të dy librat, të përzgjedhur për Çmimin Kombëtar të Letërsisë, u vlerësuan nga Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga, e cila theksoi se Maklena Nika është një arritje poetike në vetvete, një arkivë e pasurisë gjuhësore që sfidon lexuesin të lundrojë në kontradiktat e ekzistencës, dhe një dëshmi e fuqishme e rolit të poezisë si urë mes kulturave.
Znj. Konstandina Beziani, Drejtuesja e Zyrës së Pakicave Kombëtare pranë Kryeministrit, theksoi se poezia e Maklenës prek zemrat, ndërsa përkushtimi i saj në punë prek shpirtin, duke e cilësuar si një privilegj ta ketë pjesë të ekipit.
Recensueset Elona Gjergo dhe Alma Zekollari, përfaqësuese të LiterArt, e përshkruan Maklena Nikën si një poete të përvojës njerëzore, duke theksuar se krijimtaria e saj e frymëzuar nga Hipokrati është një balsam për trupin, shpirtin dhe zemrën.
Recitimi emocionues i aktores Algiona Aga i dha eventit një dimension tjetër, duke ndjerë fuqinë e fjalës që bashkon njerëzit pa dallim kufijsh, sepse letërsia flet një gjuhë që na bashkon të gjithëve.




