{:al}Athinë, 3 Qershor 2025 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, z. Igli Hasani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, gjatë së cilës realizoi takime të rëndësishme me Presidentin e Republikës së Greqisë, z. Konstandinos Tassoulas dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Giorgos Gerapetritis.
Gjatë këtyre takimeve u riafirmua angazhimi i dy palëve për forcimin e marrëdhënieve bilaterale mbi bazën e respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit strategjik dhe dialogut konstruktiv, si dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe mbështetja e vazhdueshme e Greqisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Në kuadër të vizitës, Ministri Hasani mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët organizuar nga Instituti Helen i Politikës Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP), me temë “A është anëtarësimi në BE i arritshëm? A mund t’i bashkohet Shqipëria BE-së deri në fund të dekadës?”, ku prezantoi përpara një paneli të përbërë nga personalitete greke në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, studiues, analistë, gazetarë dhe diplomatë, progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe theksoi objektivin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.
Vizita u përmbyll me një pritje zyrtare në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Athinë.