Artistë, muzikantë, artëdashës dhe fansa të krijimtarisë së tij u mblodhën në ambientet e ambasadës për të folur dhe mësuar më shumë për një nga idhujt e fëmijërisë dhe rinisë së tyre, këngëtarin, kantautorin, kompozitorin dhe interpretuesin e parë të rockut shqiptar, Franҫesk Radin, për kontributin e tij në muzikën shqiptare dhe dokumentarin e realizuar nga bashkëshortja e tij, ikona e RTSH, Tefta Radi.
Franko, siç e njohin miqtë e tij, ka qenë një revolucionar në botën e muzikës, duke sjellë një freski dhe një risi të pashoqe me përdorimin e çiftelisë në muzikën rock, një arritje që ka ndryshuar përgjithmonë trajektoren e skenës muzikore shqiptare. Ai ishte artisti që jo vetëm nuk u mposht nga diktatura, por e përdori artin si mjet për ndërgjegjësim dhe reflektim shoqëror.
Në vlerësimin që Ambasadorja, znj. Luela Hajdaraga, i bëri figurës së tij, theksoi se Franҫesk Radi sfidoi normat e kohës duke hapur një epokë të re për muzikën shqiptare. Në këtë moment të nderimit dhe kujtimit të tij, i japim respektin e duhur një artisti që ka sjellë diellin e artit dhe ka sfiduar errësirën e kufizimeve, duke mbajtur lart flamurin e lirisë dhe të pasionit për muzikën.