Netët e Filmit Shqiptar në Athinë
Për të tretin vit radhazi, më 11 dhe 14 nëntor, në ambientet e Fondacionit Michael Cacoyannis në Athinë, u zhvilluan me sukses dy mbrëmje plot emocion, të dedikuara kinematografisë shqiptare.
Në bashkëpunim me Arkivi Qendror Shteteror i Filmit, publiku pati mundësinë të shijonte dy kryevepra të restauruara, “Gjeneral Gramafoni” dhe “Tomka dhe Shokët e Tij”, të cilat u përqafuan me shumë ngrohtësi dhe entuziazëm nga komuniteti shqiptar dhe miqtë e huaj, duke dëshmuar dashurinë dhe vlerësimin e tyre për kulturën dhe kinematografinë shqiptare. Ky aktivitet ishte një mundësi e mrekullueshme për të njohur dhe ndarë trashëgiminë e pasur kulturore dhe artistike të Shqipërisë, duke nxitur krenarinë dhe frymëzimin tek të gjitha brezat.
Të pranishëm ishin Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës – Kosovo in Greece, z. Fitim Gllareva, Drejtoresha e Fondacionit “Michael Cacoyannis”, znj. Metaxia Tsertsavi, fëmijë, prindër, mësues, aktorë, shkrimtarë, përfaqësues të komunitetit shqiptar, miq të huaj, dhe dashamirës të kinematografisë.
Një falënderim i veçantë për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Fondacionin Grek Michalis Cacoyannis për bashkëpunimin e shkelqyer, si dhe për të gjithë ata që ndanë këtë eksperiencë të paharrueshme me ne!