Një mbrëmje magjike në edicionin e 13-të të FolcAlfest në Greqi!
Një eksperiencë e paharrueshme dhe emocionuese, ku arti dhe kultura bashkuan zemrat e dy popujve! Festivali, një bashkëpunim i Ambasadës, Qendrës Kërkimore për Këndimin Grek dhe Komunitetit Shqiptar në Greqi, u shndërrua në një festë të vërtetë të trashëgimisë sonë kulturore.
Interpretimet mjeshtërore të grupeve polifonike “Vëllazërimi”, “Malli i Mërgimtarit”, grupit të valles, si dhe artistëve të shquar si Teuta Pango, instrumentistët Ilir Duralliu, Keli Xhelili, Viktor Dervishi, dhe mjeshtri i fyellit Siri Sadikaj, sollën emocione të papërshkrueshme në skenën e Amfiteatrit “Mikis Theodorakis.”
Së bashku me grupet popullore greke, artistët krijuan një atmosferë unike me muzikën dhe veshjet tradicionale, duke dhuruar një spektakël që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut shqiptar e grek.
“Arti nuk njeh kufij fizikë, ai flet të gjitha gjuhët!”, theksoi znj. Eliverta Radomi, diplomate e Ambasadës Shqiptare Athinë, e pranishme në këtë aktivitet. Ky festival dëshmoi edhe njëherë fuqinë e jashtëzakonshme të kulturës popullore në forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve dhe ruajtjen e identitetit tonë të përbashkët.
Një falënderim i veçantë për të gjithë artistët dhe organizatorët që e bënë të mundur këtë ngjarje të jashtëzakonshme!