Në kuadër të aktiviteteve të Nëntorit Shqiptar, në ambientet e Ambasadës së RSH-së në Athinë u zhvillua aktiviteti me titull “Pena e Re”, i cili bëri bashkë shkrimtarë, studiues dhe artdashës të letërsisë, artistë dhe më gjerë, për tu njohur nga afër me veprat e dy shkrimtarëve të rinj, znj. Brikena Gishto dhe z. Kristo Armando Gjezo.
Aktiviteti u përshëndet nga Ambasadorja e RSH-së në Athinë, znj. Luela Hajdaraga dhe Ministrja Fuqiplotë, znj. Elvira Isufi. Në fjalën e saj, znj. Isufi cilësoi se “Shkrimtarët e diasporës tonë japin kontribut të rëndësishëm në letërsi, duke ofruar këndvështrime unike dhe duke pasuruar peisazhin letrar botëror dhe imazhin e Shqipërisë në botë. Kristo dhe Brikena shërbejnë si model për brezat e rinj, duke i frymëzuar ata me arritjet e tyre dhe duke demonstruar se suksesi është i mundur, edhe kur përballen me sfidat e migrimit dhe përshtatjes kulturore. Historitë e tyre të këmbënguljes dhe arritjeve i inkurajojnë individët të kapërcejnë sfidat dhe të ndjekin ëndrrat e tyre”.
Shkrimtarët e rinj Gishto dhe Gjezo pasi falënderuan Ambasadën për promovimin e punës së tyre, vijuan me prezantimin e krijimeve të tyre letrare dhe lexuan pjesë nga disa vepra të tyre të përkthyera në gjuhën shqipe, duke përfunduar në një ndërveprim produktiv me audiencën, ku iu janë përgjigjur me kujdes dhe përkushtim çdo pyetje të saj.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe z. Janis Stamos, përfaqëseus i Shtëpisë Botuese ‘‘Metaixmio’’, znj. Joana Latsiou, poete greke, diplomatë të Ambasadës, shkrimtarë, miq dhe artdashës.
Aktiviteti u moderua dhe u koordinua nga Oficerja Koordinuese për Diasporën, znj. Joneda Dodaj.