Ambasadorja, znj. Luela Hajdaraga mori pjesë në inaugurimin e ekspozitës së artit kontemporan “Space of Togetherness”, organizuar nga NEON, në Teatrin Kombëtar të Greqisë – Irene Papas. Kjo ekspozitë, kuruar nga Elina Kountouri, përmban vepra të 20 artistëve nga 13 vende, ku spikat fotografi i mirënjohur shqiptar ndërkombëtarisht, Enri Canaj.
Veprat e Enri Canaj kanë në fokus lëvizjen e njerëzve dhe pasqyrimin e përvojave të migrantëve, duke i dhënë ekspozitës një dimension të thellë humanitar, emocional, social dhe reflektues. Puna e tij është publikuar në disa prej mediave më prestigjioze në botë, përfshirë “Times Magazine”, “Le Monde”, “The Guardian”, “New York Times”, “Politico”, etj. dhe është vlerësuar me çmime ndërkombëtare.
Ekspozita “Space of Togetherness” ofron një udhëtim artistik që trajton çështjet globale të ditëve të sotme, si siguria, ndryshimet klimatike dhe diversiteti kulturor dhe do të mirëpresë vizitorët deri më 20 tetor 2024.
Për më shumë informacion, lutemi vizitoni faqen zyrtare https://rb.gy/ubfnhd.