Në ambientet e Ambasadës u mbajt një mbrëmje kulturore e dedikuar promovimit të librit poetik “Djepi i përmallshëm” të autores Jasmina Kotrri. Vepra u cilësua si një himn për kujtesën, gjuhën dhe dashurinë ndaj vendlindjes që nuk shuhet kurrë.

Autorja përcjell përmes vargjeve të saj një udhëtim emocional drejt kujtimeve dhe rrënjëve shqiptare, duke ruajtur ngjyrimin e veçantë të dialektit shkodran dhe duke sjellë një ndjeshmëri të veçantë poetike.
Gjatë mbrëmjes, për krijimtarinë e autores referuan:
– Nilda Baxha, gazetare e emisionit “Ura” në TVSH
– Thanas Medi, shkrimtar
– Leon Lekaj, gazetar
– Pjerin Lleshi, anëtar i LMSHG
Të pranishmit vlerësuan veprën për origjinalitetin gjuhësor dhe forcën emocionale që përcjell.

Ministër Këshilltarja, znj. Eliverta Radomi, u ndal te rëndësia e veprave që mbajnë gjallë lidhjen me atdheun, duke theksuar se krijimtari të tilla forcojnë urën shpirtërore midis komunitetit shqiptar në Greqi dhe vendlindjes.
Poezitë e lexuara nga të ftuarit krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me emocion. “Djepi i përmallshëm” u prit si një vepër ku secili mund të gjejë një copëz nga vetja, nga malli dhe nga Shqipëria që mbart në zemër.




