Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi ka kënaqësinë të njoftojë ardhjen për herë të parë në Athinë të grupit muzikor bashkëkohor shqiptar Shkodra Elektronike, me dy koncerte të cilat do të zhvillohen në datat 2 dhe 3 tetor 2025, në ambientet e Teatrit Pallas, një prej skenave më prestigjioze të kryeqytetit grek.
Shkodra Elektronike është një projekt muzikor i krijuar nga dy artistë shqiptarë të lindur në qytetin e Shkodrës dhe të rritur në Itali: muzikanti dhe producenti Kolë Laca (ish-anëtar i grupit italian Teatro degli Orrori) dhe këngëtarja-kompozitorja Beatriçe Gjergji. Të dy emigruan me familjet e tyre në Itali në fillim të viteve ’90 dhe, në vitin 2019, themeluan këtë projekt me qëllimin për të ripërpunuar muzikën tradicionale shqiptare në një frymë më bashkëkohore.
Stili i tyre muzikor përkufizohet si Pop Post-Imigrant, një ndërthurje unike mes muzikës popullore shqiptare dhe elementëve të muzikës elektronike moderne. Që prej formimit, ata kanë publikuar katër këngë të krijuara në mënyrë të pavarur, si dhe një EP live të titulluar Live @ Uzina, në bashkëpunim me label-in “Alt Orient”.
Deri më sot, Shkodra Elektronike ka performuar në disa prej festivaleve më të rëndësishme muzikore të Evropës si: Paléo Festival (Gjenevë), EXIT Festival (Novi Sad), BALKAN:MOST (Veszprém), Pin Music Conference (Sofje) dhe SoAlive Music Conference (Vjenë). Ata kanë marrë pjesë gjithashtu në aktivitete të rëndësishme kulturore shqiptare, si Bienalja e Venecias, Bienalja e Prizrenit dhe në ekspozita të artistit Adrian Paci në Milano, Athinë dhe Tiranë.
Në dhjetor 2024, dyshja mori pjesë në Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH, ku fitoi Çmimin e Parë dhe Çmimin e Kritikës me këngën “Zjerm”. Në maj 2025, ata përfaqësuan Shqipërinë në Eurovision Song Contest me të njëjtën këngë, duke u renditur në vendin e 8-të me 218 pikë, rezultati më i lartë i arritur ndonjëherë nga Shqipëria në këtë kompeticion. Kënga u rendit gjithashtu në vend të dytë në gjysmëfinale dhe mori 12 pikë nga televotimi grek – një vlerësim domethënës për artin shqiptar.
“Zjerm” ka tejkaluar 2 milionë shikime në YouTube dhe videoklipi i saj zyrtar është ndjekur nga afro 3 milionë përdorues. Në Spotify, kënga ka mbi 10 milion dëgjime dhe grupi ka mbi 600,000 dëgjues në muaj.
Aktualisht, Shkodra Elektronike është në përgatitjet për publikimin e albumit të parë, i cili përfshin edhe bashkëpunime të veçanta, përfshirë një projekt me Korin e Këngës Polifonike Shqiptare, një traditë muzikore e përfshirë nga UNESCO në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Besnikë ndaj vizionit të tyre, artistët vazhdojnë të eksplorojnë dhe të risjellin vlerat e trashëgimisë muzikore shqiptare përmes një qasjeje novatore, duke i dhënë asaj jehonë në botën moderne.
Informacion mbi koncertin:
Data: E enjte, 2 tetor dhe e premte, 3 tetor 2025
Vendi: Teatri Pallas, Rr. Voukourestiou 3–5, Athinë
Biletat mund të rezervohen në: www.pallastheater.com, www.more.com, si dhe në arkën e teatrit.
Ftojmë komunitetin shqiptar dhe të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore që promovon muzikën moderne shqiptare në një nga qendrat më të mëdha artistike të Evropës.