Një takim i rëndësishëm u zhvillua mes Ambasadores, znj. Luela Hajdaraga dhe Ministres së Punës dhe Mbrojtjes Sociale të Greqisë, znj. Niki Kerameus, ku në qendër të diskutimit ishte marrëveshja për njohjen reciproke të pensioneve mes dy vendeve.
Nga kjo marrëveshje, e cila është parashikuar të ndjekë një model të ngjashëm me atë që Shqipëria ka nënshkruar me Italinë, do të përfitojë një numër i madh shtetasish shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Marrëveshja e pensioneve do të kontribuojë në rritjen e mirëqenies sociale të shtetasve shqiptarë, si dhe në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes Shqipërisë dhe Greqisë, në fushën e mbrojtjes sociale dhe sigurimeve shoqërore.
Deri tani, Shqipëria ka finalizuar 18 marrëveshje ndërkombëtare për sigurimet shoqërore, duke dëshmuar angazhimin e saj për zgjerimin e mbrojtjes sociale për shtetasit shqiptarë në vende të ndryshme të botës.
Pala greke shprehu gatishmërinë për të avancuar me raundin e III-të të negociatave, një hap i cili përforcon vullnetin për të thelluar bashkëpunimin në këtë drejtim.
Kjo marrëveshje do të jetë një arritje pozitive drejt përmbushjes së nevojave të komunitetit shqiptar në Greqi, dhe të një avancimi të rëndësishëm të bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm mes dy vendeve.