Leonidha Bullgari, një nga artistët shqiptarë më të njohur të artit pamor në Greqi, zhvillon një takim miqësor me Ambasadorën Luela Hajdaraga
Leonidha Bullgari, piktori që ka pushtuar shpesh faqet e mediave greke dhe shqiptare, u prit në një takim miqësor nga Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga. Me një krijimtari të pasur dhe një histori të mbushur me sfida e suksese, rikthimi i tij pas vitesh në tokën helene është dëshmi e lidhjes së fortë me rrënjët dhe kontributit të tij në pasurimin e kulturës dhe artit në vendet ku ka jetuar dhe krijuar.
Gjatë viteve, Bullgari ka dhuruar një pjesë të koleksionit të tij Ambasadës Shqiptare në Athinë. Ambasadorja Hajdaraga, duke e falënderuar për këtë gjest, e cilësoi atë si një akt fisnikërie dhe shpirtmadhësie artistike.
“Kjo dhuratë ka një domethënie të thellë,” theksoi znj. Hajdaraga. “Përveç kontributit të tij të jashtëzakonshëm në fushën e artit, Bullgari tregon një përkushtim të veçantë ndaj bashkëkombasve të tij, duke i nderuar dhe vlerësuar ata përmes krijimeve të tij.”
Ky takim është një tjetër dëshmi e ndërlidhjes së artit me diplomacinë dhe e vlerësimit të figurave që, përmes talentit dhe pasionit të tyre, i japin vlerë kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.