Më 19 tetor 2025, në ambientet e Dhomës Tregtare të Profesionistëve të Athinës (Ε.Ε.Α.), u mbajt takimi i parë i Komisionit Greko-Shqiptar të Profesionistëve, një strukturë që përfaqëson mbi 3,500 profesionistë shqiptarë, duke përbërë grupimin më të madh të organizuar të profesionistëve të huaj brenda Dhomës.
Presidenti i Ε.Ε.Α., z. Ioannis Hatzitheodosiou, vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në ekonominë greke, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes dhe bashkëpunimit profesional, nën moton se “ekonomia nuk njeh kufij”.
Kryetari i Komisionit, z. Kristaq Konduri, prezantoi prioritetet për fazën e ardhshme të punës, duke përfshirë:
– rrjetëzimin në nivel kombëtar,
– informimin përmes buletineve të Dhomës,
– trajnimin e bizneseve të vogla dhe të mesme,
– forcimin e bashkëpunimit me aktorë profesionalë në Shqipëri.
Gjithashtu, znj. Pavlina Katiaj, anëtare e sapozgjedhur e Bordit Drejtues të Ε.Ε.Α., prezantoi 42 shërbimet e dedikuara që Dhoma ofron për anëtarët e saj, duke theksuar mbështetjen konkrete dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të bizneseve shqiptare në Greqi.
Takimin e përshëndeti edhe përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, Diplomatja Ekonomike znj. Joana Zhonga, e cila vlerësoi Komisionin si një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të rolit të profesionistëve shqiptarë në tregun grek dhe forcimit të lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve.
Komisioni Greko-Shqiptar i Profesionistëve po konsolidohet si një platformë dinamike e bashkëpunimit profesional dhe ndërinstitucional, duke reflektuar integrimin, etikën dhe vizionin sipërmarrës të diasporës shqiptare në Greqi.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë shpreh mirënjohje të sinqertë dhe vlerësimin për Presidentin e Dhomës, z. Ioannis Hatzitheodosiou, për qasjen gjithëpërfshirëse dhe mbështetjen e vazhdueshme institucionale ndaj profesionistëve shqiptarë. Njëherazi, falënderon z. Kristaq Konduri, znj. Pavlina Katiaj dhe të gjithë anëtarët e Bordit të Komisionit për punën e tyre të përkushtuar dhe kontributin domethënës në forcimin e lidhjeve profesionale dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Greqisë.



