Memorizimi i vlerave të artit dhe artistëve shqiptarë në diasporë, bëri bashkë në ambientet e Ambasadës, artistë profesionistë të teatrit, kinematografisë, arteve pamore, operas dhe baletit, diplomatë dhe përfaqësues të Qendrës së Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, për prezantimin dhe diskutimin e “Vjetarit Artistik Shqiptar” (VASH).
VASH, botimi i parë në llojin e tij, i vjen në ndihmë kërkuesve shkencorë, pedagogëve, studentëve dhe publikut më të gjerë. Studiueset znj. Cikopano dhe znj. Gashi theksuan se krijimi i arkivave artistike është një proces jetik për një komb, ndaj ringritja e këtyre arkivave e bën VASH-in një projekt potencial, që ofron një pasqyrë më të plotë të jetës artistike dhe kulturore mbarëkombëtare. Ato ftuan artistët e pranishëm të përfshihen në këtë Vjetar nëpërmjet biografisë, aktiviteteve dhe eventeve artistike të realizuara ndër vite dhe të promovojnë atë edhe tek bashkëkombasit e tyre me qëllim restaurimin e kujtesës dhe rifunksionalizimin e arkivave kulturore.
Ndërsa znj. Eliverta Radomi, Ministër Këshilltare në Ambasadë, duke vlerësuar komunitetin shqiptar në Greqi si një nga komunitetet më prestigjioze të diasporës shqiptare, vlerësoi se përfshirja e aktiviteteve artistike të tyre në këtë Vjetar është jo vetëm një kujtesë historike dhe një burim studimi i veprës së tyre në diasporë, por edhe një urë që lidh gjeneratat përmes një trashëgimie të pasur dhe frymëzuese artistike.