Ambasadori i RSh-së në Hungari, z. Ilirian Kuka zhvilloi një vizitë pune në qytetin e Pécsit me në fokus promovimin e Shqipërisë dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai u prit në një takim nga Kryetari i Bashkisë së Pécsit z. Attila Péterffy dhe Nënkryetari i Bashkisë z. Ruzsa Csaba me të cilët diskutoi mbi rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e turizmit, ekonomise, kulturës dhe arsimit.
Pécs, si një qytet me histori dhe kulturë të pasur, ofron mundësi të shkëlqyera për të thelluar lidhjet me Shqipërinë, theksoi Kryetari i Bashkisë së Pécsit z. Attila Péterffy teksa u shpreh i hapur dhe optimist për inkurajimin dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
U ra dakort për ndarjen e kalendarit të eventeve të qytetit të Pécsit për të rritur mundësinë e pjesmarrjes së Ambasadës apo Përfaqësuesëve nga Shqipëria në aktivitete të ndryshme si: Konferenca Biznesi dhe Seminare Turizmi, Panaire apo Evente Kulturore që planifikohen të organizohen nga Bashkia Pécs.
Në kuadër të promovimit të turizmit dhe Shqipërisë Ambasadori Kuka u takua në vijim me z. Mark Kincses, Kryetar i Departamentit të Turizmit dhe operatorët turistikë të Pécs që operojnë në Shqipëri që nga viti 2001. Ata ndanë përvojat dhe sfidat që kanë hasur në këtë periudhe si dhe rritjen e vazhdueshme të interesit të hungarezëve për të vizituar Shqipërinë.
Duke theksuar bujarinë dhe mikpritjen si veçori karakteristike të shqiptarëve, Ambasadori Kuka u shpreh i lumtur për rritjen e numrit të turistëve nga Hungaria që zgjedhin Shqipërinë vit pas viti. Ai shtoi se, klima lokale dhe terreni favorizojnë zhvillimin e një industrie turistike gjatë gjithë vitit dhe për këtë arsye turizmi është bërë një nga sektorët më të rëndësishëm e në rritje të ekonomisë shqiptare. Shqipëria po rekomandohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik nga operatorë turistikë të ndryshëm ndërkombëtarë sepse ofron të gjithë llojet e turizmeve nga ai malor, deri te ai bregdetar por pa lënë mënjanë edhe turizmin kulturor dhe atë natyror.
Vizita u mbyll me nje takim me përfaqësues të Universitetit të Pécsit dhe studentëve shqiptarë që studiojnë aty. Takimi ishte një mundësi e shkëlqyer për të rritjen e bashkëpunimit akademik dhe forcimin e lidhjeve mes brezave të rinj të të dy vendeve.
Ambasadori Kuka siguroi që Ambasada do të vijojë të mbështesë studentët shqiptare në të gjitha aktivitetet ku ata marrin pjesë në promovimin e Shqipërisë.