Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Hungari në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Hungari dhe ELTE Research Centre for the Humanities Institute of History, zhvilloi konferencën shkencore me titull: “(Inter)national State-building Experiences in the Balkans (1878–2026): The cases of Albania, Bosnia and Herzegovina and Kosovo.” Konferenca u organizua me pjesëmarrjen e profesorëve dhe hulumtuesve nga Universiteti Humboldt i Berlinit.
Ky aktivitet mblodhi studiues dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë nga Hungaria, Gjermania dhe Republika e Kosovës, për të diskutuar përvojat historike dhe bashkëkohore të shtetndërtimit në Ballkan. Punimet u zhvilluan në tri panele shkencore, si dhe në një panel të veçantë me ish-diplomatë dhe zyrtarë hungarezë që kanë shërbyer në Kosovë para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
Në fjalën e tij, Ambasadori i Shqipërisë, z. Ilirian Kuka, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy ambasadave dhe institucioneve akademike të Hungarisë dhe Gjermanisë, si një mundësi e mirë për të nxitur debatin akademik, shkëmbimin e perspektivave dhe krijimin e bashkëpunimeve të reja.
Ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Delfin Pllana, theksoi rëndësinë e kësaj konference si një platformë për të kuptuar të kaluarën, për të nxjerrë mësime nga proceset e ndërtimit të paqes dhe shtetformimit në Europën Juglindore, si dhe për të vlerësuar kontributin hungarez në këto procese.
Nga ana e tij, prof. Krisztián Csaplár-Degovics nga ELTE Research Centre for the Humanities – Institute of History theksoi se konferenca synon të krijojë një hapësirë bashkëpunimi ndërdisiplinor ndërmjet studiuesve, ekspertëve dhe diplomatëve ndërkombëtare për shkëmbimin e ideve dhe perspektivave mbi proceset e shtetndërtimit në Europën Juglindore.
Në konferencë morën pjesë profesorë, hulumtues, diplomatë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe studentë.





