Në datën 26 shkurt 2024 parlamenti hungarez zgjodhi presidentin e ri të vendit si dhe ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Suedisë në NATO. Votat pro kandidatit të vetëm për president, z. Tamás Sulyok, ishin 134 ose mbi dy të tretat e numrit total të deputetëve, gjë që solli zgjedhjen e z. Sulyok që në raundin e parë. Votat në favor të anëtarësimit të Suedisë në NATO ishin 188 ose 97 % e numrit të përgjithshëm të deputetëve. Pas ratifikimit nga parlamenti hungarez, pritet që Suedia të bëhet brenda disa ditësh shteti i 32-të anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në seancën parlamentare të së hënës pasdite ishin ftuar të merrnin pjesë edhe drejtuesit e misioneve diplomatike të akredituara në Hungari, të cilët u përshëndetën me z. Sulyok gjatë kohës kur deputetët po zgjidhnin me votë të fshehtë kandidaturën e këtij të fundit. Seancën e të hënës pasdite e ndoqi edhe i Ngarkuari me Punë a.i. Genti Bendo, i cili mori pjesë gjithashtu në takimin përshëndetës me z. Tamás Sulyok.