Forumi i Ambasadorit Ludovika u zhvillua më 18 shtator në kishën e Shën Ladislaus. Aktiviteti u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Budapest dhe Departamenti i Bashkëpunimit Rajonal i Universitetit të Shërbimit Publik Ludovika (LUPS).
Në fjalën e tij ambasadori Ilirian Kuka theksoi se parashikimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor nuk është një detyrë e lehtë. Ky rajon ka shkaktuar surpriza të panumërta deri më tani. Mirëpo, rëndësia e këtij rajoni mbetet e pandryshuar . “Prandaj, ne besojmë se pranimi i saj në BE është garancia e vetme për një Ballkan Perëndimor paqësor, të sigurt dhe të begatë”, shtoi ai. Ai shprehu shpresën se procesi i integrimit do të përshpejtohet dhe se zhvillimi i tregut të përbashkët rajonal do të marrë vrull.
“Ne do të dëshironim që BE dhe Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë me vendosmëri në zgjidhjen e konflikteve rajonale. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të promovohet dhe situata në Bosnje dhe Hercegovinë të adresohet urgjentisht. Ne po punojmë shumë për t’i promovuar këto. Shtatorin dhe tetorin e kaluar, Shqipëria priti samitin e liderëve të Procesit të Berlinit.
Së fundmi organizuam dy samite të tjera, një për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor dhe tjetri për Planin e Rritjes 2027, samiti i NATO-s”, renditi ndër të tjera ambasadori Kuka.
Në aktivitet u diskutua gjithashtu për rënien e mbështetjes për zgjerimin e BE-së, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe tema të tjera gjeopolitike. Pati një pjesmarrje te lartë të grupit diplomatik në Budapest, përfaqësues të institucioneve shteterore si dhe studentëve hungarezë dhe ndërkombëtarë të cilët u bënë pjesë e diskutimit me pyetjet e tyre për Ambasadorin Kuka.
Të pranishmit i përshëndeti edhe zëvendësrektori ndërkombëtar i LUPS-it, Pier Paolo Pigozzi Sandoval. “Misioni i LUPS-it është të promovojë dhe përmirësojë marrëdhëniet midis vendeve. Një nga seritë tona më të suksesshme të ngjarjeve, Forumi i Ambasadorit Ludovika, ofron një mundësi të shkëlqyer për këtë,” tha zv.rektori. Ai theksoi se Universiteti kontribuon në mënyrë aktive në detyrat e Presidencës aktuale hungareze teksa në korrik, Hungaria filloi Presidencën e saj të rradhës gjashtëmujore të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Pranimi i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për komunitetin: integrimi i këtij rajoni është i dobishëm për BE-në nga pikëpamja ekonomike, e sigurisë dhe gjeopolitike. “Për të njohur dhe kuptuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, vendosëm që Forumin e Ambasadorit këtë semestër t’ia kushtojmë një prej këtyre vendeve, pikërisht Shqipërisë”, shtoi ai. Historia dhe marrëdhënia e përbashkët mes Hungarisë dhe Shqipërisë daton më shumë se 600 vjet më parë. Marrëdhëniet tona të mbrojtjes, ekonomike, kulturore dhe tregtare janë forcuar, tani jemi aleatë në NATO dhe partnerë të fortë në Evropë. Në kuadër të programit Erasmus+ dhe marrëveshjeve dypalëshe të bashkëpunimit ndërinstitucional, LUPS do të forcojë më tej gamën e bashkëpunimit me universitetet dhe institutet kërkimore shqiptare, theksoi zv.rektori ndërkombëtar.