Më 25 Nëntor 2024, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Budapest organizoi një pritje me rastin e 112-vjetorit të Pavarsisë dhe 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Festa u organizua në ambientet e Ritz-Carlton Hotel ku morën pjesë përfaqësues të qeverisë, paralamentit hungarez dhe institucioneve vendore, Ambasadorë dhe antarë të grupit diplomatik, studentë dhe diaspora shqiptare në Hungari.
Ambasadori z.Ilirian Kuka përshëndeti të ftuarit me një fjalim duke i falenderuar për pjesmarrjen e gjere dhe interesin e treguar.
Ai rikujtoi se gjatë këtyre 112 viteve të pavarësisë, vendi ynë është përballur dhe ka kapërcyer shumë sfida duke dëshmuar se është një vend paqedashës, një vend i harmonisë fetare, ku mund të jetojnë bashkë myslimanë, të krishterë, ortodoksë dhe një vend ku traditat familjare dhe mikpritja është e rrënjosur thellë. Në tre dekadat e fundit Shqipëria është shndërruar në një partner të besueshëm, duke u bërë një anëtare e NATO-s dhe duke negociuar në mënyrë aktive anëtarsimin në BE. Shqipëria përfundoi me sukses kryesimin e OSBE-së në vitin 2020 dhe ishte anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për mandatin 2022/2023. Vitin e ardhshëm në maj do të organizojmë Samitin e EPC-së dhe në vitin 2027 Shqipëria do të presë Samitin e NATO-s, bëri të ditur Ambasadori Kuka gjatë fjalimit të tij. Ai theksoi se Shqipëria është e vendosur në rrugën e saj demokratike dhe plotësisht e lidhur me politikat e jashtme të BE-së në të gjitha aspektet, duke dënuar ashpër agresionin rus dhe ka mbështetur popullin e Ukrainës që lufton që nga viti 2022 për integritetin e vendit të tyre.
Lidhur me marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Hungarisë Ambasadori Kuka nëmvizoi se ato datojnë 600 vjet më parë, që nga aleanca e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe Huniadi John, ushtritë e tyre luftuan së bashku për të mbrojtur Evropën nga pushtimi osman. Ambasadori u shpreh i lumtur që aktualisht marrëdhëniet tona janë në nivelet më të larta seç kanë qenë ndonjëherë.
Ai përmendi vizitat në nivel qeveritar të cilat i kanë afruar edhe më shumë vendet tona;
– Vitin e kaluar Presidenti, Kryeministri Orban, Ministri i Jashtëm Szijjarto ishin në Tiranë;
– Këtë vit Kryeministri Rama, Ministri i Jashtëm Hasani dhe anëtarë të tjerë të qeverisë ishin në Budapest.
Ambasadori Kuka shprehu mirënjohjen ndaj Hungarisë për rolin e saj proaktiv në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Gjatë Presidencës hungareze të BE-së, u mbajt Konferenca e dytë Ndërqeveritare dhe kapitujt e rinj u hapën për procesin e negociatave të BE-së. Mbështetja hungareze ka qenë gjithmonë e fortë, veçanërisht gjatë Presidencës hungareze të BE-së, e cila nuk u ngadalësua deri në ditën e fundit; – sot u miratua IGC e tretë dhe hapja e Kapitullit 6, nënvizoi Ambasadori Kuka në fjalimin e tij.
Ai foli gjithashtu edhe për bashkëpunimin ekonomik mes vendeve tona i cili ka ardhur duke u rritur vit pas viti, megjithëse besojmë se duhet të rritet edhe më shumë. Kompanitë e mëdha hungareze janë tani të pranishme në Shqipëri si 4iG, OTP Bank, Wizz Air dhe ne po punojmë për të bindur kompani të tjera që t’u bashkohen atyre. Turizmi ka ardhur duke u rritur me dy shifra vit pas viti dhe ambasadori u shpreh besimplotë se kontakti i njerëzve me njerëzit është një vlerë e shtuar që do të vazhdojë të ndërtojë një urë më të fortë lidhjeje mes Shqipërisë dhe Hungarisë.
E ftuara e nderit ishte Zv. Sekretarja e Shtetit për Sigurinë Politike, Znj. Henrietta Balajthtóy e cila në fjalimin e saj theksoi marrëdhëniet e mira historike mes Hungarisë dhe Shqipërisë që nga koha e Skënderbeut dhe po ashtu u shpreh e lumtur për hapat që po bën Shqipëria në antarsimin më tej në Bashkimin Europian. Znj. Balajthtóy uroi të pranishmit dhe siguroi se Hungaria do të vijojë të mbështesë ngushtësisht Shqipërinë në procesin e integrimit dhe jo vetëm.
Pjesë e atmosferës festive ishin dy artistet nga Shqipëria mezzo sopranoja Vikena Kamenica dhe pianistja e famshme Merita Tërshana të cilat performuan live himnin kombëtar dhe po ashtu një repertor të zgjedhur me këngë të muzikës së lehtë shqiptare.
Himni hungarez u performua nga kengëtari dhe kompozitori i famshëm hungarez me origjinë shqipëtare Gjon Delhusa. Ai gjithashtu këndoi për të ftuarit një ndër kënget e tij më të famshme në Hungari e cila i dedikohet Shqipërisë, “Zgjohu Shqipëria ime” . Performanca e tij me kitare u prit me kërcim dhe duartrokitje nga të ftuarit.
Pas programit artistik të gjithë patën mundësinë të shijojnë disa gatime tradicionale shqiptare teksa bisedonin me njëri-tjetrin, bënin fotografi apo ndiqnin pamjet e Shqipërisë turistike të shfaqura në projektor.
Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar u shprehën të lumtur që festime të tilla janë mundesia më e mire për ta për tu bashkuar dhe për të nderuar historinë dhe indentitetin e tyre kombëtar.