Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Hungari
Emri zyrtar i Hungarisë ndryshoi nga “Republika e Hungarisë” në “Hungari”, kur Kushtetuta e re hyri në fuqi më 1 janar 2012.
Hungaria është një vend pa dalje në det në Evropën Qendrore me popullsi prej 10 milionë banorësh dhe sipërfaqe prej 93,030 kilometra katrorë. Gjuha zyrtare është gjuha hungareze. Kryeqyteti dhe qyteti më i madh është Budapesti.
Hungaria është republikë parlamentare.
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë janë vendosur më 23 maj 1922.
Dialogu politik konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve dypalëshe. Hungaria ka përdorur të gjitha mundësitë për të shprehur mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë dhe ka ofruar mbështetje konkrete me ekspertizë në kuadrin e programeve të binjakëzimit dhe të Fondit të Ballkanit Perëndimor. Hungaria ka treguar pa asnjë hezitim vullnetin për hapjen e negociatave të pranimit midis BE dhe Shqipërisë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë zhvilluar e thelluar që në shekullin XV, për të vijuar më pas gjatë krijimit të shtetit modern shqiptar dhe deri në ditët e sotme. Shqiptarët dhe hungarezët ndajnë një traditë të kahershme të marrëdhënieve miqësore dhe të përzemërta, që daton që në kohën e partneritetit strategjik e aleancës mes Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me Heroin Kombëtar të Hungarisë, Janosh Huniadi dhe që simbolizojnë e mishërojnë rrënjët e thella të bashkëpunimit të ngushtë mes popujve tanë. Lidhjet e përbashkëta historike vazhduan edhe pas shpalljes se pavarësisë, kur Mbreti Zog zgjodhi si bashkëshorten e tij të ardhshme Konteshën fisnike hungareze Geraldine Apponyi.
Të dy vendet kanë treguar vullnet të lartë për të intensifikuar më tej dialogun e tyre politik përmes vizitave të ndryshme në të gjitha nivelet, përfshirë vizitat e nivelit më të lartë, si një kontribut thelbësor për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë. Hungaria është një nga shtetet e para anëtare të BE-së që ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet BE dhe Shqipërisë. Parlamenti hungarez ratifikoi njëzëri marrëveshjen më 23 prill 2007. Tradita e gjatë dhe e mirë e miqësisë dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona janë të konsoliduara. Përtej aspektit historik, stabiliteti i Shqipërisë shihet si shumë i rëndësishëm për Hungarinë. Integrimi evropian i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor është një interes i madh për Hungarinë, duke qenë në afërsi të ngushtë dhe gjeostrategjike në rajon.