Në vijim të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hungarisë, si dhe në vijim të angazhimeve tona në kuadër të NATO-s dhe partneriteteve rajonale, më datat 22–23 shkurt 2026, me ftesë të homologut hungarez, Ministrit të Mbrojtjes z. Kristóf Szalay-Bobrovniczky, Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, z. Pirro Vengu, zhvilloi një vizitë zyrtare në Budapest.
Vizita në Budapest nisi me një takim në zyrat qendrore të “Pro Patria Electronics” — një kompani e suksesshme në fushën e radarëve dhe sistemeve për mbrojtjen e infrastrukturave kritike, si model konkret i zhvillimit industrial dhe teknologjik me synimin e qartë për integrimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes në zinxhirët e furnizimit dhe inovacionit të vendeve aleate, për të ndërtuar aftësi të qëndrueshme, të besueshme dhe plotësisht ndërvepruese.
Ministri Vengu u prit me ceremoni zyrtare nga homologu hungarez në “Sheshin e Heronjëve” , ku u organizua ceremonia e mirëseardhjes, parakalimi i trupave të nderit dhe ekzekutimi i himneve kombëtare të të dy vendeve. Më pas u zhvillua takimi tet-a-tet i dy ministrave, i ndjekur nga bisedimet zyrtare në nivel delegacionesh.
Të dy ministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin për t’i reflektuar këto marrëdhënie në një nivel më të lartë bashkëpunimi praktik në mbrojtje.
Marrëveshjet e nënshkruara
Në përfundim të bisedimeve, u nënshkruan dy marrëveshje të rëndësishme dypalëshe që forcojnë partneritetin strategjik në fushën e mbrojtjes dhe inovacionit..
1. Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e inovacionit dhe industrisë së mbrojtjes, e cila synon intensifikimin e bashkëpunimit civil në mbrojtje.
2. Marrëveshja/Protokolli i bashkëpunimit që lidh Institutin Hungarez për Kërkim dhe Inovacion në Mbrojtje (VIKI) me Qendrën e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke hapur një kapitull të ri në R&D në shkëmbim ekspertize, trajnime dhe akses në programe europiane arsimimi dhe trajnimi ushtarak.
Marrëveshjet synojnë rritjen e nivelit të ndërveprueshmërisë midis forcave të armatosura të dy vendeve dhe krijimin e një baze afatgjatë bashkëpunimi në mbështetje të objektivave të përbashkëta të sigurisë.
Në këtë kuadër, brenda vitit 2026, Shqipëria dhe Hungaria do të shkëmbejnë atashe ushtarakë.




