Në datat 12-13 mars 2024 Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Igli Hasani zhvilloi një vizite zyrtare në Hungari, gjatë së cilës u takua meMinistrin për Punët e Jashtme dhe Tregtinë z. Péter Szijjártó, Nënkryetarin e Asamblesë Kombëtare z. István Jakab dhe Ministrin për Çështjet Evropiane z. János Bóka. Ministrat Hasani dhe Szijjártó nënshkruan dy memorandume të rëndësishme të bashkëpunimit, të parin në fushën e trajnimit diplomatik dhe të dytin në lëmin e arsimit të lartë (Programi Stipendium Hungaricum). Lajtmotivi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në disa drejtime si dhe mbështetja e palëkundur e Budapestit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht gjatë gjashtëmujorit të dytë të këtij viti kur Hungaria do të drejtojë këshillin e kësaj organizate. Në kuadrin e kësaj vizite ministri Hasani mori pjesë edhe në Panelin Ministror të Forumit të Budapestit për Ballkanin ku u diskutua rreth sfidave me të cilat po përballet siguria energjetike në rajon si dhe mbajti një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Hungarisë lidhur me këndvështrimin e Shqipërisë për të ardhmen e afërt të Ballkanit Perëndimor.
Newsroom
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Igli Hasani, vizite zyrtare në Hungari!