Samiti i Komitetit Politik Evropian u zhvillua në Budapest më 7 nëntor 2024 duke bërë bashkë në Puskás Arena më shumë se dyzet krerë shtetesh dhe qeverish evropiane. “Kjo është ngjarja më e madhe diplomatike në historinë e Hungarisë,” tha kryeministri Viktor Orbán në fjalën e tij hapëse në takimin e së enjtes të Komunitetit Politik Evropian ku theksoi se Evropa është në një situatë të rrezikshme. Sipas tij ky samit ka në fokus çështjet gjeopolitike dhe se liderët i bashkon interesi dhe përgjegjësia e përbashkët për Evropën.
Udhëheqësit diskutuan mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet sot Evropa, përfshirë luftën Rusi-Ukrainë dhe përshkallëzimin e luftës në Lindjen e Mesme, migracionin e paligjshëm dhe çështjet e sigurisë ekonomike. Tema të tjera përfshinë: transportin, teknologjinë e informacionit dhe tregtinë globale.
Krerët e shteteve ose qeverive të 47 vendeve ishin ftuar në takimin e pestë të Komunitetit Politik Evropian: 27 Shtetet Anëtare të BE-së, Shqipëri, Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Bosnjë dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Islanda, Kosovë, Lihtenshtajni, Moldavia, Monako, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, San Marino, Serbi, Zvicër, Turqi, Ukrainë, Mbretëria e Bashkuar.
Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës ishte gjithashtu në Budapest.
Përveç krerëve të shteteve dhe qeverive, në samit morën pjesë edhe: Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, Charles Michel, President i Këshillit Evropian dhe Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian.
Samiti nisi me seancën plenare, e cila u pasua me katër sesione diskutimi mbi 2 tema:
migracioni dhe siguria ekonomike. Sesioni për migracionin perfshiu të gjitha aspektet e migracionit, ndërsa në sesionin për sigurinë ekonomike u diskutua edhe lidhja e ekonomisë me aspektin e energjisë, transportit, IT-së dhe gjithashtu tregtisë globale. Shqipëria mori pjesë në sesionin mbi migracionin të drejtuar nga Kryeministri i Austrisë Karl Nehammer. Më tej vendet pjesëmarrëse zhvilluan takimet e planifikuara bilaterale.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama zhvilloi një takim me Kryeministrin e Hollandës z.Dick Schoof. Pjesë e takimit ishin edhe znj. Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsion, Znj. Etilda Gjonaj, nënkryetare e Komisionit të Çështjeve Evropiane të Kuvendit, Z. Ilirian Kuka, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Hungari dhe Z. Kevin Bufi, Këshilltar i KM.
Samiti vijoi me seancën plenare përmbyllëse ku u bë një përmbledhje e çdo grupi diskutimi dhe pati gjithashtu ndërhyrje nga shtetet e tjera për temat e sesioneve. Nuk mungoi dhe fjala e Kryeministrit Rama gjatë kësaj seance i cili pasi falenderoi Hungarinë për mikpritjen u shpreh i lumtur që vitin e ardhshëm samiti i Komitetit Politik Evropian do të zhvillohet në Shqipëri, në muajin maj. “Ka shumë gjëra për tu diskutuar. Ndryshimi i klimës është i kudogjendur dhe në krye të përparësive të vendeve europiane. Jemi krenarë ta mirëpresim këtë takim. ”, tha Rama.
Në fund u zhvillua edhe konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
Kryeministri Orbán e nisi konferencën duke theksuar se Evropa përballet me një situatë “të pashembullt, komplekse dhe të rrezikshme”. Kërcënimet për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin vijnë nga fronte të shumta: lufta në Ukrainë, përshkallëzimi i konflikteve në Lindjen e Mesme, paqëndrueshmëria në Afrikën e Veriut, presionet e vazhdueshme të migracionit dhe fragmentimi ekonomik që të kujton Luftën e Ftohtë. Sipas tij ngjarjet e fundit, si zgjedhjet në SHBA, nënkuptojnë fillimin e një kapitulli të ri global. Përsa i përket sigurisë, kryeministri Orbán vuri në dukje se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për paqen dhe mbrojtjen e saj. Duke iu kthyer migracionit, kryeministri Orbán e përshkroi atë si një sfidë të vazhdueshme që ka testuar gjithnjë e më shumë kuadrin institucional të Evropës, me pakënaqësi në rritje në të gjithë kontinentin.
Kryeministri Rama e quajti samitin një “ditë të veçantë” duke shprehur mirënjohjen e tij për kryeministrin Orbán. Ai vlerësoi formatin unik të Komunitetit Politik Evropian, duke e përshkruar atë si një privilegj bashkëpunimin me Hungarinë teksa Shqipëria përgatitet të presë samitin e ardhshëm në Tiranë. Kryeministri Rama vuri në dukje optimizmin e tij për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe falënderoi Hungarinë për mbështetjen e palëkundur.
Kryeministri Orbán komentoi gjithashtu ndryshimin e dinamikës që rrethon Ukrainën, duke vënë në dukje se zgjedhjet e fundit në SHBA e kanë zhvendosur situatën në një qasjeje të orientuar drejt paqes. Kryeministri Orbán deklaroi: “Armëpushimi është hapi i parë”, duke theksuar urgjencën e ndalimit të humbjeve të jetëve.
Të dy liderët shprehën mirënjohjen për presidentin francez Emmanuel Macron, nisma e të cilit themeloi platformën e Komunitetit Politik Evropian dhe pohuan angazhimin e tyre për të forcuar këtë përpjekje bashkëpunuese, me samitin e ardhshëm të caktuar për në maj 2025 në Tiranë.