Ditën e enjte, më 16 tetor 2025, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Hungari z. Ilirian Kuka u takua me Ministrin Hungarez të Drejtësisë. z. Bence Tuzson.
Takimi i cili u zhvillua në ambjentet e Ministrisë së Drejtësisë nisi me falenderimin e Ambasadorit Kuka ndaj Ministrit Tuzson i cili pavarsisht axhendës tepër të ngjeshur si politike ashtu edhe administrative gjeti kohën e përshtatshme për të pritur Ambasadorin Kuka në funksion të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Hungarisë dhe Shqipërisë, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe bashkëpunimit juridik.
Ministri Tuzson u shpreh i lumtur që këto marrëdhënie të hershme midis vendeve tona datojnë që në shekullin XV, në kohën e heronjve kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe János Hunyadi (Huniadi), të cilët bashkëpunuan në luftën kundër Perandorisë Osmane. Ai tha se, ky bashkëpunim historik midis dy figurave të shquara është një themel i rëndësishëm i lidhjeve miqësore midis dy popujve dhe një simbol i aleancës në mbrojtje të vlerave europiane.
Ndërsa Ambasadori Kuka i rikujtoi se marrëdhëniet historike midis Shqipërisë dhe Hungarisë vijuan dhe u thelluan më tej në shekullin XX me figurën e Mbretëreshës Geraldine Apponyi, e cila kishte origjinë hungareze. Ajo u bë mbretëresha e Shqipërisë pas martesës me Mbretin Zog I në vitin 1938, duke sjellë një lidhje të veçantë dhe simbolike mes dy vendeve. Prania e saj në oborrin mbretëror shqiptar përfaqëson një lidhje kulturore dhe historike që ka lënë gjurmë të qëndrueshme në kujtesën e dy kombeve.
Po ashtu gjatë periudhës së komunizmit, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Hungarisë vijuan në një tjetër formë bashkëpunimi, ku një numër i konsiderueshëm studentësh shqiptarë patën mundësinë të ndjekin studimet e tyre universitare në Hungari. Kjo periudhë shënoi një dimension të rëndësishëm në shkëmbimet arsimore dhe kulturore midis dy vendeve, duke krijuar ura miqësie dhe mirëkuptimi që zgjasin edhe sot. Shumë prej këtyre studentëve u kthyen në Shqipëri dhe kontribuan në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme si shkenca, inxhinieria, mjekësia dhe kultura.
Ministri Tuzson u shpreh se Hungaria ndodhet më afër Shqipërisë në krahasim me vendet e perëndimit dhe kjo jo vetëm nga pikëpamja gjeografike, por edhe nga ana e botëkuptimit, traditave dhe vlerave kulturore. Të dy popujt ndajnë një histori të përbashkët bashkëjetese dhe bashkëpunimi në periudha të rëndësishme historike, si dhe një ndjeshmëri të ngjashme ndaj çështjeve kombëtare, lirisë dhe identitetit.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi çështje me interes të ndërsjellë, përfshirë bashkëpunimin në kuadër të institucioneve europiane, shkëmbimin e përvojave në sistemet përkatëse të drejtësisë, si dhe mundësitë për trajnime apo projekte të përbashkëta.
Të dy palet ranë dakort për rendësinë e shkëmbimit të eksperiencës mes dy vendeve, jo vetem në çeshtjet e BE-së por edhe në të gjitha aspektet e drejtësisë për të çuar edhe më tej marrëdhëniet e mira historike dhe produktive mes Shqipërisë dhe Hungarisë
Ambasadori Kuka po ashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e plotë dhe të vazhdueshme të Hungarisë për Shqipërinë dhe qeverinë e saj, në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Ai theksoi se gjatë Presidencës Hungareze të BE-së Shqiperia hodhi hapa të rëndësishme duke bërë përparim domethënës në rrugën e integrimit Europian. Ministri Tuzson siguroi se qeveria Hungareze do të vijojë të mbështesë dhe ndihmojë Shqipërinë deri në përmbushjen e të gjitha hapave në këtë drejtim. Ai theksoi gatishmërinë e Hungarisë për të asistuar me eksperiencën e saj në antarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.