Në datë 18 mars 2026, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Hungari, z. Ilirian Kuka, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Budapest, z. Delfin Pllana, zhvilluan një takim të përbashkët në Drejtorinë e Përgjithshme Kombëtare për Policinë e të Huajve. Në takim u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm, Pol. Maj. Gen. Dr. Sándor Gömbös, dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Pol. Brig. Gen. Dr. Jószef Seres.
Gjatë bisedës, palët diskutuan mbi:
• thellimin e bashkëpunimit dypalësh institucional ndërmjet vendeve tona;
• dinamikat e punësimit të shtetasve shqiptarë dhe kosovarë në Hungari;
• shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin institucional në fushën e sigurisë dhe të migracionit;
• ofrimin e shërbimeve për komunitetin shqiptar në Hungari, me qëllim lehtësimin e procedurave të qëndrimit dhe punësimit
Ambasadori Kuka vlerësoi qëndrimin pozitiv dhe bashkëpunues të institucioneve dhe drejtuesve të lartë hungarezë, duke shprehur mirënjohje për mirëkuptimin dhe gatishmërinë për të forcuar më tej marrëdhëniet e ndërsjella dhe për të mbështetur komunitetin tonë në Hungari.
Palët shprehën gatishmëri të përbashkët për vijimin e kontakteve dhe për identifikimin e mekanizmave që do të lehtësojnë komunikimin dhe zbatimin e procedurave administrative për shtetasit shqiptarë dhe kosovarë.


