Më 10 gusht 2026, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Shqipërisë në Xhakartë, z. Nikson Ballço, zhvilloi një takim me Drejtoreshën e Diplomacisë Publike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Indonezisë, znj. Ani Nigeriawati.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe konstruktive dhe u fokusua në rëndësinë e diplomacisë publike si një instrument për forcimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, promovimin e shkëmbimeve kulturore dhe zgjerimin e kontakteve ndërmjet qytetarëve të dy vendeve.
Gjatë bisedës, palët shkëmbyen mendime mbi mundësitë për rritjen e prezencës dhe njohjes së Shqipërisë në Indonezi përmes aktiviteteve kulturore, programeve edukative dhe nismave të tjera të diplomacisë publike. Gjithashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit në promovimin e kulturës, turizmit dhe potencialit ekonomik të Shqipërisë për publikun indonezian.
Si misioni i parë rezident diplomatik i Shqipërisë në Indonezi dhe në Azinë Juglindore, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Xhakartë mbetet e përkushtuar për të forcuar praninë e saj publike dhe për të promovuar njohjen e ndërsjellë mes dy popujve.
Takimi rikonfirmoi vullnetin e përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e diplomacisë publike dhe për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Indonezisë.



