Me 19 Mars 2025, ambasadorja Meri Kumbe, e shoqëruar nga këshilltari Naim Mandri, u ftuan dhe morën pjesë në një takim me nxënës të dy shkollave të mesme në shkollën “Har Tovb” Beit Shemesh, ku tema kryesore e takimit ishte toleranca fetare dhe koekzistenca në Shqipëri, si një karakteristikë kombëtare e vendit dhe shqiptarëve kudo në botë. Ambasadorja Kumbe e prezantoi dhe
trajtoi këtë temë si një vlerë unike krenarie për vendin tone, përmes një bashkëbisedimi shumë të mirëpritur nga një grup adoleshentësh hebrenj dhe arabë, si një arritje model dhe të jashtëzakonshme, e cila mund të shërbejë si një shembull par excellence për mbarë botën, duke i hapur rrugë diversitetit kulturor, interaktivitetit global dhe shkëmbimeve fetare, përballë sfidave globale të përjashtimit dhe konflikteve të intolerancës, ekstremizmit dhe dhunës.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit për realizimin e një filmi dokumentar edukativ nga Korporata Publike e Transmetimit Izraelit “Makan”, dhe do të transmetohet në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit. Tema qendrore e dokumentarit është vepra fisnike e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përpjekjet heroike që shpëtuan jetën e hebrenjve përmes “Besës” – kodit të nderit të Shqipërisë.
Newsroom
Takim në shkollën “Har Tovb” Beit Shemesh me një grup adoleshentësh hebrenj dhe arabë, nxënës të dy shkollave të mesme