30 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Izrael nën optikën e Drejtorisë së Arkivës Historike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme!
Më 19 gusht 1991 mbushen 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Izraelit, edhe pse shteti i Izraelit ishte njohur nga qeveria shqiptare që në vitin 1949.
Më 14 maj 1948 në një muze të Tel Aviv u shpall themelimi i shtetit te Izraelit, pas vendimit të OKB në 2 nëntor 1947, për krijimin në Palestinë të dy shteteve, atij palestinez e atij hebre. Disa muaj më vonë, më 13 shkurt 1949 qarqet zyrtare izraelite të Presidentit Sharett i kërkuan zyrtarisht qeverisë komuniste shqiptare njohjen e pavarësisë së Izraelit. Ne Shqipëri ndodheshin shumë hebrenj të mbërritur për strehim para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke i konsideruar hebrenjtë si populli më i viktimizuar nga nazismi gjerman, më 16 prill 1949, Tirana zyrtare iu përgjigj pozitivisht kërkesës së qeverisë izraelite, duke njohur shtetin e pavarur të Izraelit. Ky akt u përshëndet nga komuniteti hebre qe jetonte në Shqipëri si dhe nga përfaqësues të shoqatave dhe bashkësive hebraike në botë.
Lufta e Ftohtë dhe pozicionimi i shteteve në pole të ndryshme politike, akoma nuk kishte marrë formë të plotë.
Pas disa ditësh, në 10 maj 1949 në Ambasadën shqiptare në Moskë përfaqësuesi i Izraelit atje drejtoi kërkesën e parë për paisjen me vizë të familjeve hebreje qe ndodheshin në Shqipëri dhe donin te ktheheshin në Izrael. Kjo sipas tij ishte bërë pranë disa qeverive dhe kishin marrë përgjigje pozitive. Kjo kerkesë e qeverisë izraelite u pasua nga te tjera në disa perfaqësi diplomatike shqiptare gjatë viteve 1949-1951 e shoqëruar edhe me lista të emrave të hebrenjve të ndodhur në Shqipëri, rreth 160 të tillë.
Këta të fundit kishin hyrë në kontakt me qeverinë izraelite e kërkonin mbështetjen e saj për riatdhesimin e tyre duke ju dërguar autoriteteve edhe certifikatat e tyre të lindjes. Kërkesa mbërritën edhe nga familje hebreje të ndodhur në Shqiperi që kërkonin riatdhesimin e tyre në Izrael.
Qeverisë shqiptare nuk i tingëlloi mirë ky presion dhe u deklarua se ajo nuk kishte premtuar një gjë të tillë, ndaj nuk ekzistonte një cështje riatdhesimi për të, por cdo person që kërkonte të kthehej në Izrael mund të aplikonte vetë për këtë pranë autoriteteve shqiptare dhe nëse kërkesa e tyre miratohej, mund të largohej. Nderkohë, filloi thirrja dhe pyetja e këtyre personave nga strukturat e Ministrisë së Brendshme.
Këtu filluan edhe thyerjet e para të entuziazmit që mbuloi në fillim marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, pavarësisht se nuk ishin vendosur akoma marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve.....
Për më shumë informacion referojuni dokumentit bashkëngjitur.
Falenderime të vecanta shkojnë për Drejtorinë e Arkivit Historik dhe vecanërisht për Prof.Asoc.Pranvera Teli-Dibra, Drejtoreshë e Arkivit Historik në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.