Në datën 25 nëntor 2017, me rastin e Ditës së Flamurit dhe të Çlirimit, në bashkëpunim me komunitetin shqiptaro-hebre, organizuam një sërë aktivitetesh, si pritjen zyrtare, çeljen e ekzpozitës fotografike "Hebrenjtë dhe Shqipëria në vite", realizuar nga fotografi izraelit Doron Baher, si dhe Ditën e Kulinarisë Shqiptare.
Në hapje të ceremonisë zyrtare foli Kryetarja e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Israel, znj. Felicita Jakoel. Më pas, përshëndeti Ambasadori Canaj, i cili theksoi progresin e marrëdhënieve Shqipëri-Izrael, rolin e diasporës shqiptare, angazhimet që ka marrë qeveria shqiptare për të mundësuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për Diplomacinë Ekonomike..
Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 150 veta, të ardhur nga gjithë qytetet e Izraelit: Jerusalem, Haifa, Beer Sheva, Karmiel, Ashdod, Rishon Lezion. Ishin të pranishëm dhe përshëndetën ish-Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Amira Arnon, ish-konsulli i Izraelit në Shqipëri, Avi Luis, Konsujt e Nderit të Shqipërisë dhe Profesoresha Jael Katzir, e cila bashkë me grupin e producentëve sollën eksperiencën gjatë vizitave dhe intervistave që kanë realizuar në Shqipëri dhe Kosovë, në përgatitje të dokumentarit "Shqipëria dhe Hebrenjtë", që do të shfaqet për herë të parë në televizionet izraelite, në muajin prill të vitit 2018.
Me këtë rast, të pranishmëve iu ofrua gatimi tradicional shqiptar i përgatitur nga dy shefat e njohur të guzhinës shqiptare, Alfred Marku, i restorantit "Rapsodia" dhe Zv.Presidentja e Shoqatës Botërore të Gastronomisë "Taste of Peace", Mimoza Balla.
Aktiviteti u shoqërua me muzikë dhe valle tradicionale shqiptare.