Me ftesë të Nënkryetarit të Ashdod, Elli Nacht, Ambasadori Canaj bashkë me Ambasadorët e Serbisë, Bosnjë-Herzegovinës dhe të Ngarkuarin me Punë të Maqedonisë së Veriut, zhvilluan një vizitë pune në Bashkinë e Ashdod-it.
Ky format takimi zhvillohet për herë të parë në këtë nivel dhe u vlerësua nga pjesëmarrësit si një iniciativë që duhet të vijojë më tej, me qëllim forcimin e lidhjeve të rajonit të Ballkanit me bashkitë e Izraelit.
Vizita nisi me një takim në zyrën e Nën/kryetarit, ku secili Ambasador parashtroi nivelin aktual të marrëdhënieve me Izraelin, në fushën politike, ekonomike, bashkëpunimin kulturor-artistik, turizmin etj.
Nga ana e tij, z. Nacht informoi se Bashkia e Ashdod vlerësohet ndër pesë bashkitë më
të mëdha të Izraelit, me një popullsi prej 300 000 banorë, ku ka vendodhjen porti më i madh tregtar i Izraelit dhe ku kryhen investime të konsiderueshme në High Tech, infrastrukturë, qendra tregtare-kulturore-artistike.
Ai përmendi rolin dhe kontributin, si dhe integrimin e komuniteteve hebreje me origjinë nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit në Bashkinë e Ashdot-it.
Gjatë bashkëbisedimit, u dakordësuam për të krijuar mekanizma të reja, përveç praktikave të binjakëzimeve ndërmjet qyteteve, për të promovuar dhe krijuar formula bashkëpunimi ndërmjet rajonit të Ballkanit dhe Bashkisë së Ashdotit.
Në këtë kontekst u ra dakord që të organizohet:
· Dita e Ballkanit në Ashdod. Në këtë ditë do të promovohen vlerat dhe traditat e secilit vend, përfshirë hapjen e ekspozitave përkatëse, shfaqjen e dokumentarëve promovues të kulturës, atraksioneve turistike, si dhe të kulinarisë së vendeve ballkanike. U ra dakord që Dita e Ballkanit të organizohet brenda vitit 2019.
· Krijimin e "Balkan Busines Club" në Ashdod, zyrë e cila do të shërbejë për krijimin e lidhjeve të biznesit me investitorët izraelitë që operojnë në këtë zonë në fushën e inovacionit, mjekësisë së avancuar, bashkëpunimit portual, si dhe në agro-bujqësi. Brënda 6-mujorit të parë të vitit 2020 do të caktohet java e prezantimit të biznesit të Ballkanit, ku do të ftohen sipërmarrës nga vendet e Ballkanit sipas fushave të mësipërme.
Gjatë takimit u vendos që në muajin Shtator të organizohet në Tel Aviv takimi i dytë mes Ambasadorëve të Ballkanit dhe Nënkryetarit Nacht, ku pritet që Bashkia e Ashdod të prezantojë "Concept Note" për dy propozimet më sipër, me qëllim që ato të implementohen sipas kalendarit kohor të rënë dakord.
Veç takimit zyrtar, axhenda përfshinte edhe vizita në qëndra të inovacionit, tregtare dhe shëndetësore si dhe të kulinarisë të instaluara në Bashkinë e Ashdod.