Bullgaria ka bërë avokaten e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht të Shqipërisë dhe Maqedonisë gjatë Presidencës së Bashkimit Europian.
Kështu deklaroi të hënën, Kryeministri Edi Rama gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun bullgar, Boyko Borisov, vendi i të cilit mban aktualisht (deri në fund të qershorit) Presidencën e BE-së.
Në fillim të fjalës së tij, Rama shprehu mirënjohjen ndaj Borisov për faktin se në cilësinë e kryeministrit të vendit që ka presidencën e BE-së ka bërë një sforco të jashtëzakonshme, duke vendosur axhendën e Ballkanit Perëndimor si shtyllën kurrizore të programit të Presidencës.
“Në shenjë mirënjohje pata kënaqësinë që t’i dorëzoj Kryeministrit ‘Medaljen e Mirënjohjes’, që shpresoj të mbetet përgjithmonë në raftin e kujtimeve të tij, nga kjo Presidencë. Shpresoj të mbetet një kujtim i mirë i këtij kontributi të jashtëzakonshëm deri në fund të qershorit, kur shpresojmë të kemi një lajm të shumëpritur për Shqipërinë dhe Maqedoninë”, – tha Rama.
Rama theksoi se përtej kësaj periudhe, marrëdhënia me Bullgarinë ka qenë e jashtëzakonisht pozitive.
“Ne jemi të kënaqur që na u dha mundësia ta shprehim këtë cilësi të marrëdhënies edhe në rastin e kalimit në Parlament të ligjit për pakicat kombëtare”, – tha Rama.
Lidhur me takimin me homologun bullgar, Rama informoi se u diskutua për bashkëpunimin bilaterial, si dhe mundësinë e organizimit të një forumi investitorësh me prioritet turizmin.
Po ashtu, sipas tij, Bullgaria ofron një shembull të shkëlqyer sa i takon thithjes së fondeve nga BE, ndaj Shqipëria kërkon të mësojë nga kjo eksperiencë.
“Miqtë tanë bullgarë dhe Kryeministri iu përgjigjën me dëshirën për të na ndihmuar maksimalisht. Diskutuam për procesin e vështirë, por transformues dhe të domosdoshëm të reformave që Bullgaria i ka kaluar në një fazë më të hershme dhe që janë kyç, jo vetëm për t’u bërë pjesë e BE-së, por për të modernizuar vendin dhe për të rritur mirëqenien e të gjithë njerëzve në këtë vend”, – shtoi Rama.
Lidhur me programin e “100 fshatrave”, Kryeministri theksoi se “dëshira jonë është të përfshijmë të gjitha vendet me të cilat kemi marrëdhënie miqësore”.
Bullgaria, tha ai, është i pari vend që merr përsipër të marrë në patronazh një nga ato fshatra, sa i takon trashëgimisë kulturore dhe përmirësimit të infrastrukturës sociale, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
Kryeministri Rama theksoi se ishin së bashku me homologun bullgar në Konferencën e Sigurisë, që u organizua në Tiranë nën patronazhin e Mbretit të Jordanisë, i cili sot e pati të pamundur të ishte i pranishëm për shkak të angazhimeve me një ndjeshmëri të veçantë në vendin e tij.
Borisov: Shqipëria meriton një shans për hapjen e negociatave
Homologu bullgar, Boyko Borisov deklaroi se Shqipëria meriton një shans për hapjen e negociatave.
Sa më mirë që vendet e rajonit të ndërlidhen me njëri-tjetrin, aq më të mëdha janë perspektivat për investime, për paqe dhe prosperitet. Është e vërtetë që kërkojnë përpjekje të shumta, sepse kemi akoma 2-3 shtete që janë skeptike ndaj Shqipërisë, por shumica e vendeve europiane, mendojnë se edhe pse me kushte, Shqipërisë duhet t’i jepet një datë dhe një rrugë për fillimin e negociatave në tërësi për Bashkimin Europian dhe ne duhet të bëjmë përpjekje të mëdha që t’i bindim vendet që na kanë mbetur në këtë drejtim deri në fund të qershorit”, – tha Borisov.
Më tej, ai deklaroi se në fund të këtij viti përfundon edhe rruga Prishtinë-Shkup.
“Kur kemi korridorin numër tetë, Azi, Sofje, Shkup, Tiranë, Itali do të duket fare ndryshe rajoni ynë dhe sot me Kryeministrin e Kosovës kur folëm deri në fund të vitit rruga Prishtinë-Shkup do të bëhet gati dhe shpresojmë që rajoni të fillojë infrastrukturë moderne, por do të punojmë edhe për infrastrukturën dixhitale. Me padurim presim konferencën e 26 qershorit, që do të japë shtysë të madhe në këtë proces dhe startim të proceseve reale në këtë fushë”, – përfundoi ai.
https://ata.gov.al/2018/06/04/bullgaria-avokatja-e-shqiperise-ne-procesi...