Diplomacia dhe Holokausti -panel diskutimi me Ambasadorët e Danimarkës, Shqipërisë dhe Ekuadorit!
AJC-Komiteti Hebre Amerikan në Jerusalem organizoi një aktivitet përkujtimor mbi Holokaustin, “Diplomacia dhe Holokausti” ku panelistë ishin Anne Dorte Riggelson, Ambasadorja e Danimarkës, Bardhyl Canaj, Ambasadori i Shqipërisë dhe Hellen Deller, Ambasadorja e Ekuadorit.
Populli shqiptar jo vetëm që nuk dorëzoi asnjë hebre tek nazistët, por kishte më shumë hebrenj në Shqipëri gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore sesa më parë,-theksoi Ambasadori Canaj. Ishte një akt njerëzimi, solidariteti dhe vendosmërie absolute për të ndihmuar të tjerët edhe nëse kjo do të thoshte të rrezikonim jetën tonë.
Tradita shqiptare e besës, “premtimi që i jep dikujt tjetër”, nënvizon faktin pse popullsia myslimane dhe e krishterë e Shqipërisë strehoi dhe fshehu jo vetëm hebrenjtë e saj por edhe të tjerë që vinin nga Evropa, me viza të lëshuara nga diplomatët shqiptarë.
"Jemi krenarë që janë 75 familje shqiptare të njohura nga Yad Vashem si Fisnikë mes Kombeve."
Shqipëria miratoi rezolutën e përkufizimit të IHRA kundër Antisemitizmit në tetor 2020 në seancën parlamentare në kuadër të Samitit Ballkanik të Antisemitizmit të organizuar nga "Jewish Impact" dhe CAM/ Combat Antisemitism, samiti më i rëndësishëm ballkanik i cili mblodhi figura politike izraelite, Kryetarin e Kuvendit, Ministren e Diasporës etj, Sekretarin e Shtetit te SHBA-së, liderë të Ballkanit etj.
Vendimi i Shqipërisë për të miratuar përkufizimin e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit dhe për të mbajtur një qëndrim të fortë dhe të qartë kundër antisemitizmit pasqyron fuqimisht karakterin e hapur, të larmishëm, tolerant dhe demokratik të Shqipërisë. Ky veprim u dërgon mesazh vendeve të tjera të rajonit se në një shoqëri dinjitoze dhe të drejtë nuk ka vend për antisemitizëm dhe manifestime të tjera të racizmit.
Në vitin 2020 kur Shqipëria kryesoi Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), vendosi si prioritet të organizatës së 57 vendeve anëtare, luftën kundër antisemitizmin, dhe, në shkurt 2020, Shqipëria organizoi një konferencë në kuadër të OSBE-së si një përpjekje modeste për të rinovuar përpjekjen për angazhimin global "Kurrë më" ndaj dhunës dhe urrejtjes.