Për herë të parë në Parlamentin izraelit, Knesset, u organizua Ditë e Shqipërisë, nën kujdesin e veçantë të kryetarit Yuli-Yoel Edelstein dhe me praninë e një delegacioni parlamentar shqiptar, i kryesuar nga nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, njëherazi kryetare e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael.
Në fjalën përshëndetëse, Edelstein vuri në dukje rëndësinë e projekteve te përbashkëta në fusha me interes reciprok, si energjia, inovacioni, bujqësia, turizmi, etj.
Ai vlerësoi përfshirjen në një kapitull të veçantë të lëndës së historisë në shkollat izraelite, i cili evidenton kontributin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.
“Ne përherë me mirënjohje vlerësojmë faktin se Shqipëria, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte i vetmi vend në Europë, në të cilin numri i komunitetit hebre u dhjetëfishua në mbarim të saj. Mjafton ky fakt për të thënë gjithçka”, tha Edelstein.
Nënkryetarja Leskaj vlerësoi lart marrëdhëniet e ngushta të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve, me rrënjë të thella në realitetet historike, duke nënvizuar aktin historik dhe unik të shqiptarë për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ajo e vuri theksin në vlerat e përbashkëta që ndajnë popujt tanë, të tolerancës fetare, demokracisë, respektit për të drejtat e tjetrit, vlera që në këto kohë të vështira të terrorizmit,të kërcënimeve, të antisemitizmit, marrin një rëndësi të veçantë.
Ajo vuri në dukje qëndrueshmërinë e marrëdhënieve mes dy vendeve duke u shprehur se investimet izraelite në Shqipëri janë të mirëpritura në të gjitha fushat me interes reciprok.
Në kuadër të Ditës së Shqipërisë, takime të rëndësishme u zhvilluan dhe ndërmjet Grupeve Parlamentare të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Izraelit,si dhe me kryetarin e Nënkomisionit për Politikën e Jashtme, Robert Ilatov, ku u diskutua për situatën në rajonet respektive.
Dita e Shqipërisë në Parlamentin e Izraelit vijoi me çeljen e ekspozitës “Shqipëria përmes syrit fotografik”, në të cilën u paraqitën fotografi historike dhe artistike nga Shqipëria e viteve 1991-të dhe e vitit 2016-të, në fokusin e fotografit izraelit, Doron Bacher.
Ai, gjatë këtyre 25 viteve, realizoi një set fotografish, që nga emigrimi i komunitetit shqiptaro-hebre në Izrael e deri në ditët e sotme, duke vënë në dukje ndryshimet pozitive të Shqipërisë në këto vite.
Ky eveniment i veçantë u nderua me praninë e kryetarit të Knesset, Yuli-Yoel Edelstein, i cili, së bashku me Nënkryetaren Leskaj, inauguruan hapjen e ekspozitës, që u prezantua nga Presidentja e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri, Felicita Yakoel.
Në kuadër të vizitës në Jerusalem, delegacionit parlamentar shqiptar iu rezervua një pritje në muzeumin “Yad Vashem”, një memorial i kujtesës së martirëve dhe heronjve të Holokaustit, ku në nderim dhe në respekt të jetëve të humbura të popullit hebre, znj. Leskaj vendosi një kurorë me lule në emër të shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë.
Pjesë e axhendës, ishte dhe një vizitë në qytetin e vjetër historik, Shfaram, ku deputetet shqiptare u mikpriten nga nënkryetari i Parlamentit izraelit, njëherazi dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Izrael-Shqipëri, Hamad Amar.
https://www.ata.gov.al/dita-e-shqiperise-per-here-te-pare-ne-parlamentin...