Sot Kanali Sportiv Televiziv, "Channel 5", organizoi një emision "live" për Shqipërinë, me komentatorë sportivë, ekspertë të Turizmit dhe Kulturës. Gjatë emisionit prej 30 minutash, u fol për Shqipërinë në aspektin e zhvillimeve ekonomiko-sociale dhe potencialet e mëdha që ka në fushën e Turizmit.
Operatori turistik Rami Simsolo, i cili sapo kishte përfunduar turin turistik në Shqipëri, me një grup qytetarësh izraelitë, bëri një përshkrim të hollësishëm të bukurive që ka vendi ynë nga Veriu në Jug, duke përshkruar kulturën gastronomike, të hotelerisë dhe ndjenjat miqësore që ka demonstruar përherë populli shqiptar për hebrenjtë.
Komentatorët sportivë u fokusuan në ecurinë e përfaqësueses shqiptare në kompeticionet europiane dhe botërore të futbollit dhe folën me respekt për arritjet e saj.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Canaj bëri një përshkrim të shkurtër të Shqipërisë në fushat e mësipërme dhe nënvizoi se atmosfera e ndeshjes që do të luhet me përfaqësuesen e e Izraelit, ditën e Shtunë, do të jetë tejet sportive, miqësore dhe brenda parametrave të përcaktuara nga FIFA.
Emisoni u shoqërua me pamje filmike nga atmosfera e tifozerisë shqiptare në stadiume, nëpër rrugët e Shqipërisë dhe ato në Francë gjatë Kampionatit Europian.