Fjala e lamtumirës nga detyra e Ministrit Bushati

MEPJ, 23 Janar 2019
Zoti Kryeministër,
Zonja dhe zotërinj,
Sot teksa ngjita shkallët, për herë të fundit si Ministër i Jashtëm, ndjeva realisht që nuk do të jem më pjesë e punës së përditshme të këtij institucioni. Por, ndjehem me fat që do të jem pjesë e historisë së tij.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme është një ndër ato pak institucione që mbart peshën simbolike të përfaqësimit të shtetit. Ndoshta edhe për këtë arsye, është institucioni që i ka mbijetuar më shumë se tjerët dallgëve të tranzicionit e mbrapshtive të politikës.
Duke e konsideruar si nder dhe përgjegjësi të përditshme peshën specifike të pozicionit të Ministrit të Jashtëm, jam përpjekur që në ditën e parë të detyrës të mbështetem në tre vlera: integritet, besim dhe respekt.
Integriteti nuk nënkupton vetëm ndershmëri intelektuale apo virtyte personale, por edhe gjithëpërfshirje. Këtë jam përpjekur ta tregoj nëpërmjet përfshirjes në vendimmarrje të shumë prej kolegëve të shërbimit të jashtëm në përputhje me fushën dhe përvojën e secilit, nevojat e institucionit dhe prioritetet e punës sonë.
Në punën time jam orientuar nga Kushtetuta e Shqipërisë, dhe prioritetet strategjike të politikës tonë të jashtme. Themelet mbi të cilat mbështetet kjo politikë e kanë gjenezën që në themelimin e shtetit modern shqiptar, por ato u ridimensionuan pas rënies së diktaturës komuniste, duke kristalizuar qartësisht përkatësinë tonë evropiane dhe perëndimore.
Për mua, integriteti është i lidhur edhe me njohjen e vijimin e punëve të mira të atyre paraardhësve patriotë, të cilët kanë vendosur një gurë në murin e shtetndërtimit tonë.
Besimi është filli lidhës i përditshmërisë së punës të diplomatit. Kjo, sepse më shumë se çdo nëpunës tjetër, diplomati përballet me tjetrin, me të ndryshmen, me të huajën, me të renë, e për më tepër në një botë që nuk operon më sipas rregullave që njohim. Në këtë kontekst, besimi nënkupton dhe guxim për t’u hapur e për të mësuar nga njeri-tjetri.
Këtë besim jam munduar ta tregoj nëpërmjet hapjes së Ministrisë jo vetëm ndaj qasjeve dhe ideve të reja të përçuara nga studiuesit e politikes së jashtme, por edhe ndaj brezit të ri të diplomatëve.
Shpresoj që çdo i ri që ka hyrë në shërbim gjatë këtyre viteve, aty ku shërben dhe përfaqëson Shqipërinë, ta bëjë këtë me dashuri jo vetëm për vendin, por për njerëzit e këtij vendi.
Respekti për mua do të thotë të dëgjosh. Gjatë punës sime në këtë institucion jam përpjekur të krijoj rrethanat e duhura e ambientin e nevojshëm ku kolegët flasin me njëri-tjetrin, e ku të gjitha nivelet kontribuojnë e përfshihen në vendimmarrje. Kam qenë gjithnjë i gatshëm për t’ju dëgjuar pa paragjykime, sepse kam besuar dhe besoj se askush nuk ka monopol mbi të vërtetën. E për rrjedhojë as mbi politikën e jashtme.
I udhëhequr nga këto vlera, jam përpjekur që trupa jonë diplomatike të përtërihet dhe të përditësohet sepse vetëm kështu mund të japë kontributin e saj të pazëvendësueshëm për shoqërinë dhe atdheun tonë të përbashkët.
Per me shume, linku: http://punetejashtme.gov.al/farewell-speech-by-minister-bushati-minister...
 
 

Adresa

Ambasada Shqiptare
Laz-Rom Building, 11 Tuval Street,
Ramat Gan 5252226, Israell

Tel / Fax

Tel: 00972 03-5465866
Fax: 00972 03-6883314
Cel: 00972 (0) 54 904 2813
Nr. i emergjences: 00972 (0) 54 904 2813

E-MAIL

embassy.telaviv@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E Diel - E Enjte
9:00- 17:00