Historike! Sot në Vatikan Papa Françesku shpalli shenjtore Nënë Terezën

Ditë historike! Papa Françesku ka shpallur shenjtore humanisten shqiptare Nënë Tereza. Humanistja shenjtërohet 13 vite pas Lumturimit nga Papa Gjon Pali i II-të dhe 19 vjet pas vdekjes.

 
Papa Françesku shpalli shenjtore Nënë Terezën në një ceremoni madhështore dhe shumë emocionuese në sheshin 'Shën Pjetër' të mbushur me qindra e mijëra besimtarë nga e gjithë bota ku binin në sy flamujt shqiptar dhe ai i Kosovës.

Papa Francesku lexoi formulën e shenjtërimit në gjuhën latine e më pas shpërthyen duartrokitjet. Në altar u vendosën relike të shenjtores së saposhpallur.
 
Ati i Shenjtë u shpreh se murgesha shqiptare u angazhua në mbrojtje të jetës dhe ngriti zërin aq sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, ndërsa theksoi se mëshira ishte për Nënë Terezën dritë për njerëzit e varfër.
 
Sot po ju dorëzoj këtë figurë emblematike! Ajo qoftë modeli juaj i shenjtërimit! Ndoshta do të jetë e vështirë ta thërrasim Shën, por Shenjtëria e saj është kaq pranë nesh! Një Nënë që u bë Shenjt.
 
Nënë Tereza e ngriti zërin dhe sfidoi të pushtetshmit e tokës, fajtorë të varfërisë
” u shpreh Ati i Shenjtë në fjalën e tij para 100 mijë besimtarëve dhe 13 delegacioneve zyrtare mes tyre edhe personalitete te politikes shqiptare.
 
Papa Françesku tha se Nënë Tereza ishte një bujare e mëshirës hyjnore që do të kujtohet gjithmonë nga të gjithë.
 
“Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse e mëshirës hyjnore, duke qenë gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtjes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje.
 
U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre.
  

Mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.

 
Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje.
 
Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”. Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë
"tha Papa.
 
Mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan u mbajt në disa gjuhë dhe së fundi, në gjuhën e Shën Terezës në shqip.
 
Në mbarë botën, e jo vetëm në Kishë, u përjetua me gëzim pritja për shenjtërimin e Nënë Terezës.
 
Të pranishëm sot në Vatikan në shenjtërimin e Nënë Terezës ishin edhe krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
 
Presidenti Bujar Nishani, Zonja e Parë, Kryeministri Edi Rama kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe kreu i PD, Basha ishin në selinë shenjtë. Në Vatikan ishin edhe drejtuesit e besimeve fetare në Shqipëri.

Shenjtërimi i Nënë Terezës është festuar edhe ne Kalkutë. Ndërsa në Shqipëri po zhvillohen një varg aktivitetesh.
 
Shenjtërimi i Nënë Terezës është një moment historik për të gjithë shqiptarët në mbarë botën, teksa një pjesë e tyre ishte edhe në Vatikan.
 
Sheshi 'Shën Pjetër' ishte blinduar nga masat e rrepta të sigurisë me 3 mijë agjendë, ndërsa ishin mbi 100 mijë besimtarë, 15 delegacione dhe mbi 600 gazetarë që përcollën shenjtërimin e Nënë Terezës.

 

http://shqiptarja.com/home/1/historike-papa-fran-esku-shpall-shenjtore-n...

Adresa

Ambasada Shqiptare
Laz-Rom Building, 11 Tuval Street,
Ramat Gan 5252226, Israell

Tel / Fax

Tel: 00972 03-5465866
Fax: 00972 03-6883314
Cel: 00972 (0) 54 904 2813
Nr. i emergjences: 00972 (0) 54 904 2813

E-MAIL

embassy.telaviv@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E Diel - E Enjte
9:00- 17:00