Gjatë qëndrimit të tij në Izrael, ne datat 9-11 Shtator, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, u prit në një takim nga Ministri për Bashkëpunim Rajonal i Izraelit, Tzachi Hanegbi, Drejtori i Pergjithshem i MPJ Yuval Rotem, zhvilloi takime me grupe biznesi si dhe vizitoi Muzeun e Holokaustit Yad Vashem, ku perkujtoi hebrenjte e zhdukur nga makineria naziste gjate Luftes se II Boterore.
Tema kryesore e takimit me Hanegbin, ishte përgatitja e Shqipërisë për Konferencën e Grupit të Mesdheut më 24 dhe 25 tetor.
Duke vlerësuar relevancën e tematikave të Konferencës, si bashkëpunimi rajonal në fushën e sigurisë, politikat e përbashkëta për luftën kundër terrorizmit, si dhe bashkëpunimi për prosperitet ekonomik e social i vendeve të Mesdheut të cilat do të jenë në qendër të diskutimeve të kësaj Konference, pjesëmarrja e Izraelit do të ishte e një rëndësie të veçantë.
Dy ministrat diskutuan edhe për mundësitë e fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Izraelit veçanërisht në fushën e ekonomisë, turizmit dhe sigurisë.
Vizita në Izrael e kryediplomatit shqiptar do të plotësohet me masa konkrete politike dhe diplomatike të mëtejme në shërbim të forcimit të lidhjeve midis dy vendeve.
Ne kuader te kesaj vizite, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, zhvilloi një vizitë edhe në Muzeun e Holokaustit “Yad Vashem” në Jeruzalem.
Ministri Cakaj u njoh me histori të tmerrshme të shfarosjes masive të hebrenjve gjatë Luftës së II-të Botërore.
Me anë të një postimi në Twitter Ministri Cakaj shkruan se “Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku numri i hebrenjve ishte dhjetë herë më i madh pas Luftës së Dytë Botërore.”
Për këtë arsye, populli dhe shteti i Izraelit kanë shprehur gjithnjë mirënjohje për fisnikërinë e popullit shqiptar.
“Shumë i prekur dhe krenar të jesh në anën e duhur të historisë. Të vepruarit kundër antisemitizmit është një detyrim moral për të gjithë ne,” ka vijuar Cakaj.
Në janar të këtij viti, fondacioni prestigjioz Raoul Wallenberg e dekoroi Shqipërinë me titullin e lartë “Shtëpia e Jetës”.